Parlamenti me 120 deputetë ilegjitim, Nishani: Presidenti, interpretuesi i parë i Kushtetutës

Ish-presidenti, Bujar Nishani, deklaron se legjislacioni ynë e ka paraparë dhe i ka dhënë kompetencën Presidentit si interpretuesi i parë i Kushtetutës, ndërsa interpretuesi i dytë dhe përfundimtar është Gjykata Kushtetuese.

Në të tilla rrethana, Nishani i ftuar në emisionin “Tempora” në Rtv Ora thotë se Meta ka të gjithë tagrin e vet kushtetues që të gjykojë dhe të bëjë interpretimin e parë të Kushtetutës në raport me legjitimitetin e parlamentit.

Nishani: Kjo është një kauzë dhe rrugë që do të vazhdojë deri në betejën finale dhe akti dhe qendresa e Presidentit është në kuadër të kësaj qëndrese që shoqëria dhe qytetarët po dëshmojnë dhe po kërkojnë.

Shpërndarja e parlamentit është një çështje që i takon ligjërisht dhe institucionalisht gjykimit të Presidentit.Jam dakord që ka disa raste të parashikuara në legjislacion kur Presidenti mund të shpërndajë parlamentin por ne duhet ti referohemi situatës reale. Ato raste janë të parapara kur kemi një parlament legjitim i cili në funksionin e vetë e ka të pamundur të mbajë në fuqi sipas procedurës parlamentare një qeveri dhe mazhorancë të caktuar.

Sot jemi në kushtet kur një parlament është antikushtetues, ilegjitim. Kjo që them nuk është politike. Është jo thjesht e parashikuar në Kushtetutë por është kërkesë thelbësore e Kushtetutës që parlamenti duhet të ketë 140 deputetë. Kushtetuta e ka paraparë që parlamenti që të funksionojë duhet të ketë 140 deputetë.

Legjislacioni ynë e ka paraparë dhe i ka dhënë kompetencën Presidentit si interpretuesin e parë të Kushtetutës jo përfundimtar dhe interpretuesi i dytë dhe përfundimtar është Gjykata Kushtetuese. Në këtë moment Presidenti ka të gjithë tagrin e vet kushtetues që të gjykojë dhe të bëjë interpretimin e parë të Kushtetutës në raport me legjitimitetin e parlamentit.

Nuk e  di nëse do ta bëjë me akt dekreti. Por di që nesër apo pasnesër, çdo akt i prodhuar nga ky parlament, veçanërisht aktet që kanë prodhuar konseguenca financiare që nga rrogat e atyre deputetëve, është i paligjshëm.

SHKARKO APP