Partia Agrare Ambientaliste: Hapja e përhershme e shkollave priotitet kombëtar
PAA vlerëson se rikthimi i fëmijëve në institucionet para arsimore dhe i nxënësve në klasat e 9-vjeçareve, duhet të jetë prioriteti kryesor i strategjisë kombëtare të përballjes me pasojat e rënda të covid-19 në: (i) shëndetin mendor të fëmijëve; (ii) në mos-arsimimin e tyre, dhe (iii) në reduktimin e pasojave negative direkte dhe indirekte afatgjata në jetë.
Hapja duhet të jetë e përhershme, kjo kërkon përgjegjësi maksimale të stafeve mësimore, mjekësore dhe administrative të drejtimit dhe funksionimit të shkollave. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të ofrojnë gjithë mjetet dhe pajisjet e nevojshme logjistike për respektimin e protokolleve anticovid-19 nëçdo shkollë të vendit.
Hapja dhe vazhdimi i suksesshëm i shkollave kërkon një angazhim maksimal të mësuesve, mjekëve, prindërve dhe vetë nxënësve.
Hapja e përhershme e shkollave nuk është një detyrim vetëm i qeverisë por edhe i bashkëpunimit efektiv të prindërve, mësuesve, mjekëve, nxënësve dhe komuniteteve shoqërore. Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi efektiv të gjithë faktorëve, hapja e shkollave mund të jetë e përhershme dhe efektive.