Partia e Lirisë, Braimllari: Mungesë transparence nga bashkia e Tiranës

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari bëri me dije se i kanë ridërguar kërkesë për informacion në bashkinë e Tiranës në lidhje me heqjen në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak nga fondi i dedikuar për arsimin të 4.3 milionë eurove dhe transferimin e tyre për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston.

“Partia e Lirisë i ka kërkuar Erion Velisë informacion të detajuar se sa tonë mbetje janë depozituar për çdo vit kalendarik që nga nisja e kësaj kontrate midis Bashkisë së Tiranës dhe inceneratorit. Informacion të detajuar mbi pagesat e kryera çdo muaj, nga pagesa e parë deri në momentin e kthimit të përgjigjes. Gjithashtu, kemi kërkuar një kopje të marrëveshjes midis Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë të inceneratorit. Një kopje e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës për miratimin e kësaj marrëveshjeje financiare mes palëve. Relacionet përkatëse nga komisionet përgjegjëse pranë këshillit bashkiak”, tha ai.

Sipas tij, kjo kërkesë është dërguar muaj më parë nga deputetja Monika Kryemadhi dhe ende nuk ka përgjigje. “Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e Erion Velisë tregon qartë përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë, frikën dhe panikun nga firmat e tij, që janë hedhur në kundërshtim me ligjin”, theksoi Braimllari.

SHKARKO APP