Partia e re, Alibeaj: Kundër ortakërisë Rama-Berisha. Grupi i PD bën atë që lideri u thotë

Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj thotë se partia e re politike ku ai do të jetë pjesë, do të jetë një formacion kundër ortakërisë Rama-Berisha. “Nuk është lëvizja Alibeaj, as partia Alibeaj. Jemi një sërë kolegësh brenda parlamentit, jashtë parlamentit, pa u marrë me politikën deri tani, të cilët ndjejnë nevojën që një pjesë e madhe e publikut shqiptar sot është e papërfaqësuar.

Ortakëria Rama-Berisha, e cila ka dalë në pah sidomos këto javët e fundit. U bënë bashkë te goditja e SPAK-ut, grupi i dialogut, te kodi zgjedhor. Me sa duket janë përsëri bashkë tek komisioni Xhafaj, për të goditur SPAK-un. Ndaj sot, publiku shqiptar, është bindja ime, ka nevojë për përfaqësim”, tha Alibeaj në A2 CNN.

Edhe pse nuk pranoi të thoshte se cili do të jetë kryetari i këtij formacioni politik, Alibeaj tha se nuk do të riciklohen figurat e vjetra, kur u pyet nëse kryetar i kësaj partie do të ishte Lulzim Basha.

“Partia Demokratike është parti private. Grupi parlamentar është një grup njerëzish që bëjnë atë që Sali Berisha u thotë. Prandaj u largova. Respekt për njerëzisht që i shkojnë pas, por unë distancohem. Ne nuk do të riciklojmë askënd. Nuk bëhet kjo lëvizje për të ricikluar dikë. Ky grupim është i hapur për këdo”, tha Alibeaj

SHKARKO APP