Partia gjermane: Si mund ti hapen negociatat një vendi që nuk ka Gjykatë Kushtetuese!
Për disa liderë të Bashkimit Europian, mosçelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një gabim historik. Por vendimi është mirëpritur nga forcat e ekstremit të djathtë në disa prej vendeve anëtare. “Alternativa për Gjermaninë” shprehet në reagimin e saj se, politikanët dhe qytetarët e dy vendeve janë përgjegjës për refuzimin për të disatën herë. “Edhe prezenca personale e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Berlin nuk i justifikon dot dyshimet e arsyeshme që kemi. Sa kohë që vendi, ndër të tjera, nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk ka për të pasur negociata. Anëtarësimi në BE nuk është dhuratë krishtlindjesh,” deklaroi AFD-ja nëpërmjet deputetit të Bundestagut, Siegbert Droese. Në Francë, partia e Marin Le Pen, mbështeti veton e presidentit Emmanuel Macron për hapjen e negociatave.
Njësoj si homologët gjermanë, europarlamentarja Helene Laporte përshëndeti qëndrimin e Parisit, Holandës, Danimarkës dhe Spanjës, ndërsa e cilësoi fantazi pozicionin e Berlinit dhe Brukselit për negociatat. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, gjithashtu përsëriti rezervat për negociatat me Shqipërinë, duke thënë se vendi duhet të adresojë shqetësimet e vendeve anëtare deri në vendimmarrjen tjetër.