”Partitë e reja do të dëmtojnë PD”, Duka: Opozita të dalë me një listë unike për zgjedhjet e 11 majit
Si do të jetë opozita në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025? Partitë e reja apo ato të vogla, që mund të dalin të vetme në zgjedhje, mund të konsiderohen si opozita e opozitës, të paktën nga përfaqësues të PD-së. Po sa mund të ndikojë dalja të vetme në zgjedhje të partive të reja dhe atyre që konsiderohen si të vogla në raport me fragmentarizimin e votës?
Agron Duka, kryetar i PAA-së, thotë se partitë e reja që krijohen mund të kenë elektoratin e tyre, ndërsa partitë e krijuara nga Partia Demokratike do të marrin vota nga kjo parti. Duka tha se Agron Shehaj është i djathtë, do të marrë vota nga e djathta dhe nëse nuk i konverton votat në mandate, atëherë kuptohet se do të dëmtojë të djathtën.
”Kemi disa parti, qoftë ajo e Enkelejd Alibeaj, Dashamir Shehit, Agron Shehajt, pra do të kemi një fragmentarizim të votës, atëherë si nuk e dëmtojnë opozitën? Me Kodin Zgjedhor ne jemi të detyruar të hyjmë në një koalicion të madh, pasi penalizohemi shumë si forca që të konvertojmë në mandate votat. Ndaj duhet të hyjmë në një listë të përbashkët, në mënyrë që të kemi sa më shumë mundësi për të maksimalizuar votat”, tha Duka.