Pas 10 vitesh, rihapen hetimet e dosjes ”21 Janari” për vrasjen e Nikës dhe Dedës

Prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet e pezulluara për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës më 21 Janar 2011, pas kërkesës së policisë së Tiranës. Avokatura e Shtetit i ka kërkuar informacion institucioneve në zbatim të pyetjeve që Gjykata e Strasburgut i ka dërguar qeverisë shqiptare.

Prej 1 muaj është regjistruar hetimi e po vijohet me veprime konkrete. Po kështu, hetime kanë nisur edhe për dy persona të tjerë që kanë mbetur të plagosur gjatë protestës që u mbajt përballë kryeministrisë 10 vite më parë. Aleks Nika dhe Hekuran Deda janë dy nga 4 viktimat e protestës së 21 janarit të thirrur nga Partia Socialiste që ishte në opozitë në atë kohë.

I pari që ka humbur jetën ka qenë Hekuran Deda, i cili është qëlluar ndërsa ndodhej në një tavolinë të vendosur nga kameramanët në anën e bulevardit, përpara Piramidës. Pas tij është qëlluar Ziver Veizi, i vrarë në vijë diagonale me Kryeministrinë, para portës së hekurt të këtij institucioni.

Viktima e tretë është Faik Myrtaj, nga Fieri, i vrarë në hyrje të rrugicës mes Kullave dhe Gjykatës Kushtetuese. Aleks Nika u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

SHKARKO APP