Pas 6 orësh, mbyll punimet Konventa Kombëtare e PL-së. Meta ”divorc politik” me Kryemadhin, dhe bunkerizon partinë
Pas 6 orësh me diskutime, oferta dhe votimet, por mbi të gjitha Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë, u pa si një mbyllje e partisë, ku tashmë gjithçka është në dorën e Ilir Metës. Monika Kryemadhi vendosi të mos e sfidojë bashkëshortin e saj, e as të bëjë fraksion brenda partisë. Përplasja mes tyre megjithatë ndodhi që para se të mblidhej Konventa Kombëtare e thirrur nga Meta, e cilësuar si historike.
Në historinë e re që po nis Ilir Meta me Partine e Lirisë, që bën 20 vjec, nuk ka shumë vend bashkëshortja e tij, Kryemadhi. Dhe vetë ajo e ka pranuar fatin e saj politik. “Mendoj që ka ardhur koha që prioritetet e Monika Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era”.
Ilir Meta e distancoi bashkëshorten me nje ndryshim në statut, që largon nga strukturat drejtuese anëtarët e së njëjtës familje. Ajo në vijim do të jetë thjesht një deputete, ndërkohë të tjerë janë ngjitur në strukturën partiake. Meta beson në fuqinë elektorale të bashkëshortes
“Kjo nuk është një konventë kundër Monikës. Monika Kryemadhi unë besoj se i ka mbi 20 mijë vota, Monika Kryemadhi është deputete dhe mund të zgjidhet deputete sa herë të dëshirojë”,-tha Meta.
Ilir Meta mbylli sot ciklin e LSI-së si poli i tretë në vend dhe nisi atë të Partisë së Lirisë si partia kundra të gjithëve përfshi edhe bashkëshortes së tij. Ai shkundi partinë e tij nga një korridor politik ku thuhej gjithçka në një bunker ku nuk pipëtin asgjë, madje edhe zëri i Monika Kryemadhit. Arsyet përse Ilir Meta bunkerizoi partinë e tij nuk janë ende të qarta, por rasti i Sali Berishës përjashton paraprakisht mundësitë që kjo ta mbrojë nga hetimet e drejtësisë.
Në fjalën përmbyllëse, Meta i falenderoi të gjithë pesjëmarrësit dhe njoftoi se në orën 20:00 do të jenë te Rruga Mustafa Matohiti në protestën që zhvillohet poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhejtorit të vitit 2023.