Pas borës Shqipëria ”ngrin”, bllokohen zonat malore

Pas reshjeve intensive të borës që kanë përfshirë të gjithë Shqipërinë, akulli dhe bora mbizotërojnë tani në rrugët kombëtare. Dhjetëra automjete të tonazheve të ndryshme kanë mbetur të bllokuara në aksin rrugor Milot-Lezhë, ku lëvizja mbetet kaotike prej pasdites së të shtunës.

Akulli në rrugë ka krijuar vështirësi edhe në aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnje, ku përgjatë së dielës u shënuan disa aksidente, fatmirësisht pa viktima. Në Dibër, Bulqizë, Kukës ka fshatra të izoluara nga bora që shkon deri në 70 cm. Rruga Peshkopi-Tiranë është e kalueshme me vështirësi me zinxhirë. Nga Ura e Çerenecit në Librazhd është bllokuar.

Të gjitha rrugët nacionale në Korçë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Vlorë ka pasur reshje në qafën e Llogarasë, por kalimi është pa probleme. Temperaturat shënuan disa gradë nën zero në pjesën më të madhe të vendit ndërsa ka raportime për probleme me energjinë elektke.

Fshatra të bllokuara e vështirësi në rrugë ka edhe në qarqet e Beratit e Gjirokastrës. Reshjet e borës zbritën edhe në Bregdetin e Durrësit e qytetin e Fierit, ku banorët iu gëzuan fenomenit të rrallë për ta.

SHKARKO APP