Pas “diplomimit” në Oxford, Gjergj Luca i bashkohet “Lëvizjes së frikshme politike, Shabani- Lapaj- Piliçka”
Rikthehet në mediat sociale Gjergj Luca, kësaj here me një fshikull të hollë ironie dhe me një sarkazëm që i shkon për shtat zhgënjimit të madh që përjetuan ata që besuan te një brez i ri politikanësh. Ai shfaqet si një “doctor” i sapodiplomuar nga Oxford-i – një Oxford simbolik, i marrë me gjasë në distancë të gjatë nga realiteti ynë – dhe, me kapelën e studentit në kokë, na serviret një skenë që nuk është thjesht humor, por një akt akuze.
Në një postim sulmon ata që premtuan ta shkatërronin në palcë narrativën e vjetër të politikës:
“Po ndaj me ju miq një lajm të gëzuar. Pasi u diplomova edhe unë në Oxford, po i bashkohem lëvizjes së frikshme politike Shabani–Lapaj–Piliçka–Luca. Do bëhemi katër tigra që do kafshojmë politikën e vjetër dhe do tmerrojmë krimin dhe korrupsionin.
Se kush kafshon më tepër nga ne nuk jap garanci, por besoj se Shabani të shqyen…”
Kaq mjafton që të kuptosh se ky nuk është thjesht një status. Është një shpullë për të gjithë ata që, megjithëse u rritën mes korridoreve të universiteteve prestigjioze, u kthyen në skenën shqiptare për të riprodhuar të njëjtat klishe, të njëjtin teatër, të njëjtën politikë të djeshme me kostume të reja.
Në videon e tij, Luca, me kapelën e diplomës në kokë, i pyet ndjekësit: “Si ju dukem?” Dhe pastaj kujton me një nënqeshje therëse: “Të gjithë ata që e kanë çuar këtë vend përpara kanë vënë nga një kapele të tillë në kokë. Edhe mua më shkon, apo jo? Pse të mos më quani edhe mua doctor? Nuk ma merr mendja se nuk e meritoj këtë kapele.”
Ky është momenti kur ironia tejkalon shakanë dhe shndërrohet në pasqyrë. Në atë pasqyrë shfaqet fytyra e një brezi të ri politikanësh, që u shfaqën me parulla emancipimi dhe përfunduan duke mbajtur gjallë pikërisht atë që premtuan të shkatërronin. Ata që thanë se do të sillnin risi, përvojë, progres, por sollën vetëm zhgënjim. Ata që premtonin një politikë me vizion të ri, por u mjaftuan me lojën e vjetër të grindjeve dhe interesave personale, pa hyrë kurrë realisht në garën e sakrificës për të justifikuar mundin dhe paratë që ky vend shpenzoi për t’i edukuar.
Në këtë spektakël të ironisë, Gjergj Luca nuk është më thjesht një komentues. Ai është një denoncues që, me buzëqeshje të hollë, i kthen në fytyrë sistemit dhe “brezit të ri” një të vërtetë të hidhur: ndryshimi nuk vjen me diploma, as me kapela të shndritshme, por me moral, me kurajë dhe me veprime. Dhe këto, për fat të keq, mbetën në listën e gjatë të premtimeve të pambajtura.
AV
KOHA JONË SONDAZH

