Pas disa muajsh pezullim, nga sot rinisin fluturimet Shqipëri-SHBA
Ambasada shqiptare në SHBA njofton se prej ditës së sotme rinisin fluturimet nga Shqipëria drejt SHBA-ve.
Tanimë shqiptarët përsëri mund të udhëtojnë drejt Amerikës por duhet të vlerësojnë disa rregulla strikte.
Ndër kriteret që duhet të plotësohen është që shtetasit shqiptarë që do udhëtojnë drejt SHBA nuk duhet të kenë udhëtuar në asnjë prej vendeve të hapësirës Shengen, Britanisë së Madhe, Irlandës, Iranit, Kinës ose Brazilit brenda 14 ditëve të mëparshme.
Si fillim do jenë vetëm dy kompani fluturimesh që do operojnë duke kryer 2-3 fluturime në javë.
Kjo masë do zbatohet vetëm për muajin qershor dhe bëhet fjalë për vizita turistike apo qëllime të tjera pasi shtetasit e pajisur me dokumente të rregullta mund të udhëtojnë drejt SHBA edhe nga vendet e Evropës.
Njoftimi i ambasadës:
Duke filluar nga data 15 qershor, fillon gradualisht hapja e fluturimeve me disa vende të Europës. Kjo situatë e rrit mundësinë e udhëtimeve nga SHBA drejt Shqipërisë, tashmë jo vetëm për qytetarët shqiptar, por edhe për qytetarët amerikanë. Pas ndërprerjes së fluturimeve në fund të muajit Mars, do rifillojë gjithashtu mundësia e udhëtimeve nga Shqipëria drejt SHBA-ve. Sipas vendimit të Shteteve të Bashkuara për arsye të situatës së krijuar nga Covid-19: “Mund të hyjnë në SHBA, të gjithë ata shtetas (shqiptar në rastin tonë) që nuk kanë qëndruar ose udhëtuar tranzit në asnjë prej vendeve të hapësirës Shengen, Britanisë së Madhe, Irlandës, Iranit, Kinës ose Brazilit brenda 14 ditëve të mëparshme (numëruar nga dita që mbërrijnë në Amerikë) para udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara”. Gjatë muajit qershor, Turkish Airlines dhe Air Serbia do të fillojnë të operojnë me një numër të vogël fluturimesh (2-3 herë në javë) drejt disa qyteteve amerikane dhe në kthim. Sipas rregullave aktuale në fuqi, të gjithë shtetasit shqiptar mbajtës të vizave turistike dhe studentore që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Amerikës, mund të udhëtojnë me këto linja, me një tranzit në Stamboll ose Beograd. Ndërsa qytetarët shqiptar, mbajtës të lejeve të qëndrimit “green card” dhe pasaportave amerikane, nuk kanë kufizim për hyrjen në SHBA nëpërmjet udhëtimeve edhe nga vendet e Evropës. Për shkak të vendimeve që çdo shtet mund të marrë sipas zhvillimeve të situatës së pandemisë, rregullat, datat dhe oraret e fluturimit mund të ndryshojnë shumë shpesh. Për këtë arsye, sugjerojmë që gjatë kësaj periudhe të blini biletat tuaja nëpërmjet agjencive të fluturimit dhe jo nëpërmjet platformave online, me qëllim që të siguroni informacion të saktë e të rifreskuar dhe të keni mundësi të merrni përgjigje ndaj pyetjeve që keni.