Pas izolimit nga COVID-19, rritet numri i qytetarëve që blejnë ushqime me lista
Për shumë familje me pamundësi ekonomike, kryesisht në periferi të Tiranës, edhe në këto ditë izolimi vazhdon rituali i blerjes së ushqimeve me lista. Pronarët e dyqaneve nuk e ndërpresin ndihmën për këto familje. Jo të gjithë flasin para kamerës.
Por, shumë nga tregtarët tregojnë se janë të detyruar të mos i lenë këto familje pa ushqimet bazë.
“Ka shumë familjarë që nuk kanë mundësi dhe lekët i sjellin në fund muaji. Dy fletore i kam hedhur, nuk kam çfarë të bëj, ata vijnë për bukën e gojës”, shprehet një prej tregtarëve.
Tregtarët thonë se kjo situatë kur shumë vende pune janë mbyllur, ka rritur numrin e qytetarëvë që blejnë ushqime me lista.
“Janë shtuar shumë dhe vijnë gati çdo ditë. Nuk kemi çfarë të bëjmë”, shprehet ai.
Të pyetur nga “ABC News” nëse do të vazhdojnë të shesin ushime me lista, tregtarët thonë që ky është humanizëm.
“Kjo është sakrificë për këdo qoftë. Është koha për mbijetesë, nuk është koha për të bërë para”, thotë ai.
Gjithsesi tregtarët tregojnë se edhe ata nuk e kanë të lehtë të shesin pa marrë lekët mbrapsht.
“Kemi vështirësi. Nëse nuk marrim nga klienti do të kemi shumë vështirësi. Dita ditës numri vjen duke u rritur”, thotë një tjetër tregtar.
Vetë qytetarët që blejnë pasi shënojnë emrin në listë të dyqani i lagjes i shmangen kamerës. Të pranosh varfërinë, jo gjithmonë është e lehtë.
/abcnews.al