Pas kritikave të Presidentit reagon KED/ Miraton 1 kandidat për në Kushtetuese, 2 të skualfikuar

Nuk kaloi shumë kohë nga kritikat e Presidentit Meta për dy institucionet e reja të drejtësisë, KED dhe KLGJ, në lidhje me performancën e tyre në lidhje me punën për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë dhe ka ardhur reagimi i parë.

Me anë të njoftimi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëri me dije se ka miratuar lejimin e kandidimit të prokurorit Altin Binaj për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese. Por nga ana tjetër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) u ka ndaluar kandidimin dy juristëve të tjerë, Artan Spahiut dhe Dedë Kasnecit, duke i skualifikuar nga gara për një vend në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ana tjetër, kandidati Gentian Mete është tërhequr nga gara për të zënë një vend në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, Altin Binaj e ka kaluar procesin e vetingut, teksa më parë ka qenë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtues i Prokurorisë së Apelit Vlorë. Ky vendim i KED vjen pas kritikave që Meta u drejtoi sot për vonesat që po bënte ky institucion lidhur me emërimet që çojnë në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.

Deri më tani, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e kryetarit, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari. Kjo gjykatë prej vitesh tashmë nuk është funksionale, është në proces ringritje dhe Binaj do të kandidojë për një nga pozicionet në të. Plotësimi i saj ka hasur në shumë pengesa. Në fillim ishte mosngritja e KED-it për dy vite, 2017 dhe 2018, që është organi i përcaktuar në Kushtetutë për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve që i çohen më pas Presidentit dhe Kuvendit.

Ndërsa një vit më pas, sërish për emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses, u krijua një përplasje mes Presidentit dhe maxhorancës. Shkaku ishte sjellja procedurale e ish-kreut të KED-it, Ardian Dvorani, e cila nuk u pranua nga Presidenti Meta, duke bërë që ky i fundit ta çojë çështjen deri në Komisionin e Venecias. Me konfliktin President-Kuvend që nuk u shua dhe vijon të jetë aktiv herë pas herë, Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me 4 anëtarë, pasi njëri nga emrat e përzgjedhur nga Meta, Besnik Muçi, u rrëzua nga procesi i vetingut. Kështu, pas përfundimit të fazës së parë të procesit për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, janë zgjedhur Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji nga Kuvendi dhe Marsida Xhaferllari nga Presidenti. Do jenë edhe 3 anëtarë të tjerë që do të zgjidhen nga këto dy institucione, përkatësisht, një Kuvendi dhe 2 Presidenti.

Por për të plotësuar Gjykatën Kushtetuese me 9 anëtarë, aq sa përcaktohet në Kushtetutë, duhet të pritet fillimisht që të ngrihet Gjykata e Lartë, pasi tre anëtarë do të zgjidhen pikërisht nga radhët e kësaj gjykate. Gjykata Kushtetuese mund të bëhet funksionale për të marrë vendime me jo më pak se 6 anëtarë. Sakaq, ngritja e kësaj gjykate do t’u jepte zgjidhje edhe shumë çështjeve politike të mbetura pezull prej më shumë se një viti, siç është legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 apo edhe vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar.

SHKARKO APP