Pas mjekut Ilir Allkja shkarkohet dhe Genc Struga. Vangjel Tavo: Kjo marrëzi e qeverisë duhet ndalur. Mbroni bluzat e bardha
Ditën e sotme mjeku Genc Struga është shkarkuar nga puna në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Vendimi vjen pak ditë pasi drejtuesi i këtij institucioni shkarkoi për arsye politike mjekun Ilir Allkja. Ish-ministri i Shëndetësisë, mjek në profesion, Vangjel Tavo thotë se largimi i mjekëve nga detyra në mes të pandemisë është një skandal dhe marrëzi që duhet ndalur.
Duke publikuar vendimin e shkarkimit të mjekut, Tavo shprehet se drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë duhet të heqin dorë nga presionet ndaj bluzave të bardha.
“SKANDAL / Largimi i mjekëve nga puna është marrëzi e qeverisë. A e kuptoni se çdo të thotë të pushosh nga puna një mjek sot kur ne kemi mungesë të theksuar mjekësh?
Shkarkimi i vazhdueshmëm i mjekëve është presion diktatorial dhe tregon papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie. I bëj thirrje qeverisë t’i kthejë menjëherë në punë të dy mjekët e pushuar nga puna Ilir Allkja dhe Genc Struga. Ky është turpi i radhës për drejtuesit e QSUT dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo qeveri skandalesh duhet larguar sa më parë. Të gjithë në mbështetje të bluzave të bardha, heronjve tanë të heshtur”,- deklaron Vangjel Tavo.
Ndërkohë mjeku Ilir Allkja që u largua nga detyra pak ditë më parë, deklaron se kolegët në QSUT duhet të reagojnë që të mos kenë të njëjtin fat.
“Pushohet me një vendim të jashtëligjshëm Dr. Genc Struga, një ndër neulogjistët më të talentuar të Shqipërisë. I vetmi Fellow i European Stroke nga Shqipëria dhe member i Royal College of Physician, London! Ju bëj thirrje gjithë kolegëve të reagojnë, nesër do të jetë vonë! Ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve të zgjohen, janë ata që do ti paguajnë mijëra e mijëra euro si dëmshpërblim për mjekët e lincuar e shkarkuar pa ligj ! Mjaft më me indiferencë, bindjet partiake duhet të zerohen përballë shkatërrimit të vendit! “Vrasja” profesionale e mjekëve nga qeveria e papërgjegjshme socialiste do ti kushtojë fort Shqipërisë”,- deklaron Ilir Allkja