Pas protestës nga banorët e ish-godinave të QS-së para Kryeministrisë, reagon Veliaj: Do të marrin bonus qiraje

Të gjendur në mes të katër rrugëve, këtë të mërkurë banorët që jetuan për shumë vite ish-godinat e ”Qyteti Studenti”, dolën në protestë para Kryeministrisë, pasi janë shkëputur nga programi i rindërtimit. Ata thanë se kanë mbetur në qiell të hapur, pasi bonusi i qirasë është ndërprerë më datë 27 dhjetor. Kujtojmë që në tërmetin e 26 dhjetorit të vitit 2019, disa godina në QS pësuan dëmtime. Po ashtu banorët kanë bërë thirrje për t’u rifutur në programin e ndihmës së tërmetit, duke u dhënë banesat e premtuara nga qeveria.

Nuk vonoi shumë, dhe gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës ditën e sotme, u bë me dije një lajm i mirë për këto familje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se këto familje të cilat nuk jetojnë më në konviktet në Universitetin Bujqësor ose Qytetin Studenti, do të marrin bonus qiraje.

“Se nuk falim dot shtëpi dikujt që s’e kishte atë shtëpi. Kërkoj mirëkuptim të këtyre banorëve, nuk po i lëmë pa zgjidhje, por zgjidhja është sistemi i bashkisë për njerëzit që kanë nevojë që ne t’ju paguajmë qiranë, por jo duke i zënë dhomën një studenti. Pra nuk zgjidhim një hall, duke shkaktuar një hall, ose një problem tjetër”, tha Veliaj.

SHKARKO APP