Pas tensioneve në Kuvend, deputetët i bashkohen Berishës në takimin me pedagogët
Pas tensioneve që krijuan në Kuvend, edhe përballë grupit tjetër në PD, deputetët e njohur si mbështetës të Sali Berishës i janë bashkuar këtij të fundit në takimin me pedagogët. Kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se pedagogët janë ndër më të keqpaguarit dhe se kushtet jo të mira i detyrojnë ata që të largohen nga vendi.
“Mblidhemi në një moment kur kjo qeveri me në krye Ramën me vendimin e fundit po jep një colpo di grazia universiteteve të vendit dhe arsimit të lartë. Në një nga aktet më të papërgjegjshme u godit liria akademike, kushti i të gjitha kushteve që një universitet të funksionojë. Goditja është e shumtë, por kulmuan kur Rama vendosi të caktojë me bandën më të rrezikshme të kryeqytetit rektorin.
Ky akt dëshmonte se cili është akti i tij për universitetet, akt i shoqëruar me vendosjen e komisarëve në bordet e universiteteve, u shoqërua nga vendimi për të bllokuar mbrojtjet e gradave shkencore, që shënonte ndërprerjen e veprimtarisë kërkimore në Universitete. Pedagogët janë ndër më të keqpaguarit, rroga denigruese.
Punohet për të krijuar kushte që arsimtarët e mjekët të largohen nga Shqipëria. Rama kërkon t’i japë goditjen fatale arsimit të lartë. Tani thotë le të vijnë studentë nga jashtë, nesër do thotë të shkojnë të studiojnë ku të duan”, tha Berisha.