Pas Tiranës, Korça kthehet në vatër të kuqe nga pandemia e Covid-19
Ndonëse Tirana është vatër e kuqe e Covid-19, pas tij vjen qyteti juglindor i Korçës, që ka situatë të përkeqësuar epidemiologjike, me plot 951 raste aktive. Sipas mjekëve faktorët që kanë ndikuar janë turistët nga rrethet që vizitojnë Korcën, por edhe mungesa e respektimit të masave nga vetë qytetarët korçarë.
Pas kryeqytetit, qarku juglindor ka numrin më të lartë të të infektuarve me Covid-19. Problematike situata është në institucionet arsimore ku me tepër se 15% e të infektuarve në qark janë edukatorët, mësuesit dhe nxënësit. Sipas pneumologes Diana Aliçkolli faktorët kryesorë të rritjes së numrit të infektuarve janë turistët nga qytetet e ndryshme dhe papërgjegjshmëria e vetë qytetarëve në zbatimin e masave.
“Një nga arsyet për qytetin tonë është turistët, është mos mbajtja e maskave dhe vet stina e ftohtë që kemi në qytetin tonë, që duke qenë se është ftohtë njerëzit rrinë me shume brenda sesa në behar kur fëmijët dhe studentët rrinin jashtë, dhe kur hyjnë në familje ua çojnë prindërve, gjyshërve dhe prandaj është kjo situatë”, tha ajo. Spitali Rajonal i Korçës ka vendosur në shërbim të pacientëve me Covid pavijonin e sanatoriumit, i cili është përshtatur për të sëmurët me Covid-19.