Pas tragjedisë me fëmijën, BE hap dyert për 160 mijë refugjatë

Vdekja e një fëmije kurd në ujërat turke, derisa bashkë me familjen e tij po pretendonin ikjen në ndonjë vend të sigurt, dhe fotot prekëse të shfaqura në internet, kanë bërë që Evropa të reflektojë dhe të marrë një vendim për të sistemuar refugjatët, që kanë mbetur rrugëve të Hungarisë dhe vendeve të tjera si Italia e Greqia.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord për një plan emergjent për vendosjen e më shumë se 160,000 refugjatëve të cilët janë aktualisht në të gjithë BE-në.

Sipas planit në bazë të të cilit edhe janë dakorduar liderët evropian, e ku ka pasur qasje gazeta britanike “Daily Mail”, emigrantët që janë në Itali, Greqi dhe Hungaria do transportohen nëpër vende të tjera të BE-së, në bazë të kriterit të numrit të popullsisë dhe prosperitetit ekonomik.

Në të njëjtën kohë, shumica e refugjatëve, 35.000 prej tyre do të dërgohen në Gjermani, në Francë do të shkojnë 26 mijë, Spanjë 16 mijë, ndërsa në Kroaci 3 mijë e 200.

Edhe pse, sipas të njëjtave kritere Britania e Madhe do të duhej të akomodonte 17 mijë refugjatë, britanikët kanë vendosur që tani për tani të mos jenë pjesë e planit të përbashkët të BE-së për pranimin e emigrantëve.

Sipas gazetës britanike, në bazë të të dhënave që ka BE-ja, në Hungari tani ndodhen rreth 54 mijë refugjatë, 39 mijë në Itali dhe 66 mijë e 400 në Greqi.

SHKARKO APP