Pas valës kriminale RENEA zbret në terren, por nuk ka arrestime vip
Pas valës kriminale që ka mbërthyer vendin me 35 viktima në 6 muaj, Forcat Speciale të Policisë së Shtetit, janë nxjerrë në terren. 1 person u arrestua dhe 23 janë shoqëruar gjatë aksioneve në Shkodër e Fier. Në pranga u vu vetëm një 27-vjeçar, person me precedent kriminal në fushën e krimeve kundër jetës, drogës e armëmbajtjes pa leje.
Indrit Hoxhaj (Kuçi) u arrestua në një lokal në Lagjen “Fermë-Çlirim”, pasi lëvizte i armatosur. 27-vjeçari kur vuri re praninë e forcave speciale hodhi nga dritarja çantën e dorës, brenda të cilës kishte një pistoletë, dy karrikatorë dhe kartën e tij të identitetit. Operacioni i forcave speciale i nisur të hënën nga Vlora u shtri njeherësh në Fier e Shkodër. Burime policore thanë se ata ushtruan kontrolle në 18 lokale dhe 21 ambiente të ndryshme. 23 persona të identifikuar me precedentë apo tendencë kriminale në fushën e narkotikëve apo armëmbajtjes u shoqëruan për verifikime.
Kurse nga aksioni i para disa ditëve në Vlorë, janë shoqëruar dhjetëra persona, kryesisht persona me precedent kriminalë, një person me armë zjarri në Vlorë, si dhe janë prerë dy urdhër arreste. Edison Begaj i cili i shpëtoi atentatit të 29 majit në Kaninë, pra në pranga. Persona civilë kanë mbajtur në survejim disa persona, të dyshuar si të përfshirë në aktivitet kriminal dhe kanë ndërhyrë blitz.
Qytetarët ndajnë mendime të ndryshme në mënyrën se si po vepron policia dhe në mundësinë e rezultateve të mundshme në lidhje me arrestimet dhe piksjen e personave të rrezikshëm, që qarkullojnë me armë me vete. Aksioni do të vijoj në të gjithë territorin dhe synimi kryesor është neutralizimi i personave të rrezikshëm.
”Për mendimin tim duhet bërë, nuk ka rrugëdalje tjetër. Kam shërbyer 31 vjet ne ushtri, pistoletën e dorëzova, nuk më duhet arma. Pse duhet ta mbaj? Për këtë punë jam ekstremist, duhet rreptësisht të merren me këta njerëz; Mendoj se policia duhet të angazhohet. FNSH dhe RENEA mendoj se janë më autoritare dhe ndikojnë më shumë për të krijuar opinionin tek të tjerët ndoshta. Është kjo arsyeja që mund të angazhoj këto forca; Besoj që po, konform ligjit dhe rregulla besoj që ia vlen; Në fakt policia ka të drejtë që bën kontrolle se do të ul edhe kriminalitetin, do ketë më pak vrasje e njerëzit do t’ia kenë pak frikën. Nuk kam frikë nëse më bëjnë kontroll, nëse jam i pafajshëm nuk kam pse të kem frikë”, shprehen qytetarët.