Pashkët në kohën e koronavirusit! Bashkia e Tiranës shpërndan ndihma për disa familje të krishtera

Për shumë të moshuar në Tiranë, Pashkët kanë ardhur ndryshe këtë vit. Për shkak të virusit COVID-19, ata po e kalojnë të vetmuar, pasi fëmijët i kanë jashtë e s’mund t’i vizitojnë. Por, me besimin se jeta do të triumfojë dhe se e ardhmja do të jetë më e mirë, më e begatë dhe e paqtë, në këtë ditë shprese Bashkia e Tiranës shpërndau pako ushqimore për ta dhe familjet në nevojë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në familjet e Ndoc Tushës dhe Marie Gilardit, të cilët këtë periudhë të vështirë po e kalojnë larg fëmijëve të tyre. Teksa kërkoi që të respektojnë masat e marra për të qëndruar në banesë, ai i siguroi se për çdo nevojë, nuk do t’u mungojë ndihma e institucioneve dhe e dhjetra të rinjve vullnetarë që i janë përgjigjur menjëherë thirrjes për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të moshuarit e vetmuar.

“Gëzuar Pashkët! Të kam sjellë vezët e Pashkëve sepse më thanë që i feston. E di që i ke fëmijët larg, por nuk doja që ta kaloje Pashkën pa një vizitor. Vetmia është e vështirë, por duhet të bëhesh i fortë. Edhe Krishti, në Pashkë, këtë na mësoi: se jeta e mund vdekjen, shpresa e mund mërzinë. Sapo të kalojë kjo situatë, do vijnë edhe nipat e mbesat të të vizitojnë”, i tha një të moshuari Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se edhe pse këto janë pashkët e para në këto vite që shumë besimtarë nuk shkojnë dot në kishë, jeta do t’i rikthehet sërish normalitetit sapo të fitohet edhe kjo betejë. Qindra vullnetarë po ndihmojnë përditë gjyshe, gjyshër, familje në nevojë me pako ushqimore.

SHKARKO APP