Pasi dështon me negociatat, Rama i kërkon Kuvendit të shpallë në kërkim prokurorët dhe gjykatësit
Kryeministri Edi Rama ka folur sot në Kuvend për çeljen e negociatave. Në një fjalim të gjatë, Rama tha se qeveria e tij ka bërë reformat më të mëdha në histori, por janë vendet e BE që kanë problemet e tyre të brendshme dhe nuk duan të hapin dritën jeshile.
Teksa dha këtë argument, kryeministri nuk harroi të sulmonte partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI. Sipas tij, qëndrimet e kësaj opozite i kanë prishur punë rrugës së integrimit në BE. Ndërkohë që Rama nuk foli për asnjë nga kushtet dhe ankesat e vendeve të BE. Kushte që kanë të bëjnë me luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe krizën e rëndë politike.
Teksa mbante një fjalimin kundër BE dhe opozitë, kreu i qeverisë u shfaq jo pak i shqetësuar në Kuvend.
Por kryeministri, Edi Rama, nuk harroi të adresonte sërish akuza ndaj sistemit të drejtësisë. Duke përmendur rastin me drejtorit të Kadastrës në Durrës, Rama tha se Kuvendi duhet të shpallë në kërkim grupin e prokurorëve dhe gjykatësve KÇK (kap ça të kapësh).
Edi Rama: Ka ardhur koha të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun, që e dinë që nuk e kalojnë vettingun dhe që kanë nxjerrë dhe një togfjaësh KÇK. Këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Është e kotë ti bëjmë njëri-tjetrit predikime dhe nga tryezat e opozitës të ngrihemi dhe të fajësojmë qeverinë këtu, apo nga tryeza e qeverisë të ngrihemi këtu dhe të justifikojmë. Vetingu kërkon disa vjet dhe nuk mund të durojmë që prokuror dhe gjykatës si ato të Durrësit të bëjnë kërdinë. Ka njerëz që po capërlohen në prokurori dhe gjykata.
Rama tha se KÇK sot është grupi më i madh kriminal në Shqipëri.
Edi Rama: Shpallja në kërkim e KÇK-së është objektivi që duhet të kemi në parlamenti një orë e më parë. KÇK është grupi më i madh kriminal në Shqipëri, prokurorë dhe gjykatës që e dinë që nuk e kalojnë dot vetingun. Si mundet një prokuror të regjistrojë tokë të dhuruar në emër të gruas që paska qenë asistente e dikujt dhe ky dikush regjistron tokën 500 metra dhe prokurori e ka 5 mijë metra. Keni parë që dhuruesi të japë 100 fishin që ka. Keni ju ndonjë krushk, vjehërr?!