Pasiguri për shtëpitë, banorët e Laçit enden në dyert e bashkisë: Duam ekspertë

Pasiguria për shtëpitë ku banojnë po i detyron qindra banorë të Kurbinit që ditë për ditë të mblidhen para bashkisë për të kërkuar zgjidhje.

Shumica kërkojnë sa më parë ekspertë për verifikimin e banesave në mënyrë që të riorganizojnë jetesën.

Vendorët, për momentin i kanë strehuar në hotelet e Shëngjinit, ndërsa banesave të rrezikshme i është vënë shirit. Por të prekurit nga tërmeti në Laç kanë ankesa edhe për këtë mënyrë sistemimi.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara thotë se në terren janë 13 grupe verifikimi me inxhinierë dhe specialistë të bashkisë. Ndërsa banorëve të pallateve për të cilët është vendosur se do të shemben këshillon që të ndalin çmontimin e dyerve dhe dritareve pasi është e rrezikshme.

7 pallate 5-katëshe në qytetin e Laçit do të shemben për shkak se tërmeti i ka bërë të pabanueshme.

Prokuroria lokale ka marrë aty kampione dhe prova në kuadër të hetimit të gjerë që ka nisur për ndërtimet që u shembën.

Ora News -  Pasiguri për shtëpitë, banorët e Laçit enden në dyert e bashkisë: Duam ekspertë

SHKARKO APP