Paskal Milo: Kush mund të qeveriste Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore
(Botuar me 18 Shkurt 1996 në KOHA JONE)
Nga Paskal Milo-
Në arkivat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fondin e konferencave ndërkombëtare, gjendet një studim shumëfaqësh për Shqipërinë i kryer nga komiteti ndërsektorial i rajonit ballkaniko-danubjan në departamentin e shtetit në periudhën Nëntor 1943-Mars-1944. Ky studim është në vijim të traditës së diplomacisë amerikane të Luftës së Dytë Botërore kur në përfundim të saj delegacioni amerikan në konferencën e paqes në Paris ishte furnizuar me një studim analog për Shqipërinë. Studimi i mësipërm ka shërbyer si bazë njohjeje e si pikënisje për përpunimin e qëndrimeve amerikane pas Luftës së Dytë Botërore ndaj Shqipërisë, veçanërisht në mbledhjet e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Fuqive të Mëdha dhe në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946. Studimi është një përmbledhje alternativash për të ardhmen e Shqipërisë prej të cilave vlen të nënvizohen veçanërisht:
- Pavarësi e plotë e kufizuar apo e kondicionuar
Fillimisht në studim bëhet parashtrimi i problemit të statusit të ardhshëm politik të Shqipërisë. Autorët kanë nënvizuar të gjitha konsideratat pozitive dhe negative që sjellin në rendin e ditës diskutimin e statusit të ardhshëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Pas kësaj paraqiten 7 zgjidhjet alternative të cilat sipas radhës janë: a) krijimi i një shteti shqiptar plotësisht sovran dhe të pavarur. Shtetet e Bashkuara e kishin përkrahur me kohë këtë zgjidhje, herën e fundit në një deklaratë publike të Sekretarit të departamentit të shtetit, Hull në dhjetor 1942. Por ndërsa afishohej mbështetja për pavarësinë e Shtetit Shqiptar vihej në dyshim aftësia e tij për të mbijetuar si i tillë pa ndihmën e jashtme. Ky skepticizëm shprehej hapur në studim ku shkruhej se “në qoftë se krijohet si një shtet i pavarur, pa u përfshirë në një unitet të gjerë ekonomik dhe pa klauzolën e një udhëheqje e mbështetje ndërkombëtare ose financiare të painteresuar, Shqipëria do të kthehej në drejtim të disa fuqive të mëdha të interesuara dhe të pranojnë konditat e tyre sikurse bëri në vitet 20. Një zhvillim i tillë do ta rrezikonte pavarësinë shqiptare”. B) Rivendosja e pavarësisë me kushtin e këshilltarëve ndërkombëtar. Historinë e shtetit të pavarur shqiptar gjithnjë e ka shoqëruar dilema nëse shqiptarët janë ose jo të aftë për vetëqeverisje. Kjo mëdyshje me autorësi disa qarqe të huaja politike, veçanërisht fqinje, ka zënë vend jo të vogël në mjediset diplomatike botërore dhe në një mënyrë ose në një tjetër reflekton edhe sot në qëndrimet që, mbahen prej tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për një stabilitet dhe siguri më të madh të Shqipërisë dhe pa cenuar sovranitetin e saj, diplomatët amerikanë ishin të mendimit se “mund të përfundohet një marrëveshje nëpërmjet së cilës Shqipëria do të binte dakord të caktonte për një periudhë të caktuar kohe një numër këshilltarësh të huaj për të udhëhequr procesin e rindërtimit politik dhe ekonomik dhe të stërvitë shqiptarët në administrimin publik”. Këta këshilltarë parashikohej që të atashoheshin në Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, Drejtësisë, Financave, të Punëve Publike si dhe pranë disa drejtorive të ngarkuara me programe të posaçme në sektorët e arsimit, të shëndetësisë, profilaksisë, taksimit etj.
- c) Vendosja e pavarësisë së Shqipërisë e kufizuar nga ushtrimi i disa të drejtave të kontrollit. Mbikëqyrja dhe udhëheqja nga një autoritet ndërkombëtar. Kjo alternativë synonte t’i jepte Shqipërisë “të drejtat e vetëqeverisjes duke kufizuar sovranitetin e saj vetëm me rezervimin e kontrollit të fundit mbi disa çështje nga një autoritet ndërkombëtar. Këto çështje mund të përfshijnë financat publike, ushtrinë dhe xhandarmërinë dhe disa aspekte të marrëdhënieve me jashtë”. Këto kufizime që gjithnjë i kishin për bazë të shumëpërfolurën mungesë të aftësive të shqiptarëve për vetëqeverisje, sipas autoreve të alternativës së mësipërme synonin “të parandalonin rënien e Shqipërisë nën sundimin e çfarëdo fuqie të huaj dhe për të siguruar udhëheqjen e painteresuar kundrejt arritjes eventuale të vetëqeverisjes së plotë”. Zgjidhja në fjalë synonte gjithashtu edhe pozitën neutrale të Shqipërisë prej së cilës do të rridhnin dy përfitime: së pari, do të shmangej mundësia e përdorimit të territorit shqiptar nga ndonjë fuqi e huaj si bazë për veprime armiqësore kundër Greqisë, Jugosllavisë ose Italisë, dhe së dyti, “do t’i privonte vetë këto tri shtete nga argumenti i tyre kryesor për rishikimin e kufijve ose për ndërhyrjen në punët e brendshme të Shqipërisë”.
- d) Anëtare në një bashkim ose federatë ballkanike. Kjo alternativë merret si pikënisje marrëveshjen greko-jugosllave të 15 Janarit 1942 (të qeverive respektive në emigracion) e cila vendosi disa parime bazë për një bashkim ballkanik në të ardhmen dhe pranimin eventual të shteteve të tjera të Ballkanit. Megjithëse Shqipëria sipas këtij projekti do të bëhej një anëtare e barabartë, duke hequr dorë vetëm nga ato atribute të sovranitetit prej të cilave do të hiqnin dorë edhe anëtarët e tjerë, shprehej dyshimi që sigurimi i Shqipërisë dhe rindërtimi e zhvillimi ekonomik i saj të garantohej nga një bashkim i tillë.
- e) Vetëqeverisje e kufizuar nën Britaninë e Madhe si mandatore ose fuqi mbikëqyrëse. Në mungesë të një autoriteti ndërkombëtar të aftër për të marrë përgjegjësinë direkte për rindërtimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e sovranitetit të saj, diplomatët amerikanë paraqitnin si një alternativë praktike zgjidhjeje një mandat britanik. Ata pranojnë se “Britania e Madhe si një fuqi mesdhetare është më shumë e lidhur direkt me të ardhmen e Shqipërisë se sa janë Shtetet e Bashkuara”. Si fuqi mandatore Britania e Madhe do të ishte përgjegjëse përpara një organizate ndërkombëtare. Por edhe për këtë variant në fund shpreheshin dyshime për dy arsye: së pari, nuk dihej nëse Qeveria Britanike do të mund ta pranonte një mandat të tillë dhe së dyti, nëse vetë populli shqiptar do të mund të pajtohej me një zgjidhje të tillë.
- f) Vetëqeverisje e kufizuar nën Shtetet e Bashkuara si mandatore ose fuqi mbikëqyrëse. Ideja e mandatit amerikan mbi Shqipërinë nuk ishte e re. Edhe në përfundim të Luftës së Parë Botërore, madje edhe në kohën e Konferencës së Paqes në Paris, kjo ide ishte shprehur dhe përkrahur me forcë nga një pjesë e shqiptarëve, veçanërisht atyre me banim në Shtetet e bashkuara. Diplomatët e departamentit të shtetit në vitet e Luftës së Dytë Botërore e njihnin këtë fakt i cili “nuk u konsiderua seriozisht” në atë kohë. Ata shpreheshin pothuajse të sigurt se në rastin kur do të kërkohej që Shqipëria të vendosej në mbikëqyrjen e një shteti të huaj, shqiptarët para çdo fuqie tjetër do të preferonin Shtetet e Bashkuara. Kjo shpjegohej me disa arsye, si me pozicionimin e SHBA si fuqi e painteresuar, me aftësinë e saj për të drejtuar dhe ndihmuar rindërtimin ekonomik të vendit. Por faktorët kryesorë që kanë ndihmuar sipas diplomatëve amerikanë në ndjenjat proamerikane të shqiptarëve ishin “roli që kanë luajtur shqiptaro-amerikanët e arsimuar në lëvizjen kombëtare, prezenca, veçanërisht në Shqipërinë e Jugut, të shumë emigrantëve të kthyer nga Amerika dhe puna e shkollave amerikane në Shqipëri…” Duke e pozuar alternativën e mandatit amerikan për Shqipërinë, nëpunësit e departamentit shpreheshin gjithashtu se “aktualisht nuk ka ndonjë tregues se një zgjidhje e tillë është në konsideratë në Shtetet e Bashkuara”.
- g) Vetëqeverisja e kufizuar nën Italinë si mandatore ose fuqi mbikëqyrëse. Në mbështetje të kësaj alternative në studim sillen si argumente afërsia gjeografike e Italisë dhe interesat e saj më të mëdha se të çdo fuqie tjetër të madhe në Shqipëri. Si faktor jo favorizues në radhë të parë paraqitet vetë populli shqiptar që do ta hidhte poshtë këtë zgjidhje dhe pastaj faktin që “Greqia dhe Jugosllavia do të kundërshtonin fuqishëm rivendosjen e çdo forme tjetër kontrolli italian mbi Shqipërinë. Ata do ta konsideronin atë si një cenim direkt të sigurimit të tyre dhe si një kanal i hapur për influencën italiane në Ballkan”. E paraqitur në fund të vitit 1943 apo fillim të vitit 1944, kjo alternativë ishte arkaike dhe shprehte më tepër një reminishencë të diplomacisë së pas Luftës së Parë Botërore. Kjo përforcohet edhe më tepër kur si alternativë e fundit paraqitet edhe:
- h) Ndarja e Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë. Ndër të gjitha alternativat kjo ka qenë më negativja dhe në kundërshtim të plotë me vetë idenë e shtruar në fillim të studimit. Për t’i dalë përpara çdo keqkuptimi duhet sqaruar se duke e paraqitur kjo alternativë nuk do të thotë se politika amerikane e mbështeste atë. Studimi pozonte opinionet dhe zgjidhjet që ishin servirur historikisht për Shqipërinë që nga Lufta e Parë Botërore e më vonë. Alternativa në fjalë siç pohohet edhe në studim ka qenë përmendur tërthorazi në qarqet zyrtare greke dhe jugosllave si mënyra më efektive për t’i dhënë sigurimin Greqisë dhe Jugosllavisë nga një sulm nga ana e Italisë. Qëndrimi i diplomatëve amerikanë ndaj kësaj alternative vjen pak më poshtë kur thuhet se “kjo zgjidhje do të kundërshtohej me ashpërsi nga populli shqiptar. Ajo nuk mund të pajtohej me kartën e Atlantikut ose me deklaratat e shprehura nga qeveritë amerikane, britanike dhe sovjetike, në favor të restaurimit të një shteti të lirë shqiptar. Ajo do të krijonte probleme të rrezikshme minoriteti në Greqi dhe Jugosllavi, e cila do të tentonte t’i kthente në zero avantazhet e sigurimit që ato mund të shpresonin të arrinin me zgjerimin e kufijve të tyre me shpenzimet e Shqipërisë”. Në përfundim të paraqitjes së shtatë alternativave për statusin ndërkombëtar të Shqipërisë, komiteti ndërsektorial i rajonit ballkaniko-danubian jep pikëpamjet e tij. Ai përgjithësisht mbështet variantin “a” me elementë të varianti “b”. Komiteti duke pohuar garancitë e dhëna nga fuqitë e mëdha për restaurimin e shtetit të pavarur dhe sovran shqiptar është i mendimit se krijimi i një Shqipërie të pavarur ka një ndihmë mbi baza ndërkombëtare që do të sillte një stabilitet politik dhe ekonomik do të hapte rrugën për depërtimin e fuqive të interesuara dhe do të çonte në përmbysjen e pavarësisë së saj. Mendimi i komitetit ishte se “kombet kryesore të bashkuara duke premtuar pavarësinë e Shqipërisë kanë marrë me vete një detyrim moral për të bërë çdo përpjekje të arsyeshme për të ndihmuar në zhvillimin e saj ekonomik…” dhe se “një ndihmë e tillë ndërkombëtare duhet të jepet sipas një marrëveshjeje e cila nuk cenon pavarësinë e Shqipërisë”. Diplomatët amerikanë besonin se Shqipëria duhet të inkurajohet për të marrë pjesë në një bashkim politik dhe ekonomik të shteteve të Ballkanit, në qoftë se një bashkim do të arrihet dhe se një pjesëmarrje e tillë do të kontribuonte në stabilitetin politik dhe ekonomik të saj. Në fund komiteti ishte i mendimit se “Greqia dhe Jugosllavia kanë justifikim moral dhe historik për qëndrimin e tyre se duhen marrë masa paraprake për të parandaluar që një Shqipëri e pavarur nominale të bjerë në kontrollin italian dhe të shihej si një bazë armiqësore kundër tyre”.
2-Çfarë qeveria do të kishte Shqipëria?
Një pjesë e studimit të departamentit të shtetit merret me përcaktimin e formës së qeverisë që do të vendoset në Shqipërisë, menjëherë pas çlirimit të saj nga pushtimi gjerman. Kjo do të ishte një qeveri ose administratë provizore e cila do të funksiononte gjatë periudhës së ndërmjetme midis çlirimit të territorit shqiptar dhe krijimit të një regjimi të përhershëm. Fuqitë e mëdha e kishin njohur të drejtën e popullit shqiptar të pushtuar nga fashizmi që pas çlirimit të zgjidhnin formën e qeverisë nën të cilën ai dëshironte të rronte. Kjo dëshirë do të realizohej përmes zgjedhjeve të lira e demokratike, të cilat ishte e pamundur që të bëheshin që të nesërmen e mbarimit të luftës. Për rrjedhojë lindte nevoja e një qeverie tranzitore e cila do të përgatiste edhe vendin për të shkuar në zgjedhjet e para të përgjithshme të pasluftës në Shqipëri. Departamenti i shtetit duke i paraprirë zhvillimit të ngjarjeve formulon pesë alternative qeverisjeje në Shqipëri.
- a) Pranimi i qeverisë aktuale si një qeveri provizore në qoftë se ajo kontrollon vendin në kohën e pushtimit aleat. Ky variant quhej i mundur në rastin kur Shqipëria do të mund të çlirohej nga forcat aleate ose në rrethana kur vetë kjo qeveri do të bashkohej me kauzën e Kombeve të Bashkuara dhe do të vinte autoritetin dhe mekanizmin e saj qeveritar në shërbim të komandës aleate në luftën për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Një qeveri e tillë thuhet në studim, në qoftë se do të pastrohej nga elementët fashistë që ishin përgjegjës për brutalitetet e ushtruara mbi popullin shqiptar nga italianët dhe gjermanët mund të përfaqësonte më mirë opinionin shqiptar se sa një grup nga emigrantët e kthyer ose nga udhëheqësit guerillas. Por gjithsesi kjo zgjidhje për autorët e saj “do të kishte disavantazhit e ekspozimit të Kombeve të Bashkuara në mbajtjen e një regjimi i cili kishte bashkëpunuar me fuqitë e boshtit dhe të injorimit të udhëheqësve patriotë shqiptarë të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë kundërshtuar boshtin në vend dhe në emigracion.
- b) Pranimi ose krijimi i një qeverie të përkohshme, përfaqësuese e grupeve kryesore të rezistencës. Kjo alternativë qeverisëse do të ishte e vlefshme në rastin kur qeveria shqiptare e pushtimit gjerman do të ndodhej në kolaps pas largimit të forcave gjermane. Amerikanë t ishin të bindur se regjimi i ri që do të vendosej do të dominohej nga fronti nacional çlirimtar i cili ishte më i fuqishmi nga organizatat e tjera. Në këto rrethana sipas tyre “aftësia e tij për të ruajtur një administrim eficient do të ishte e dyshimtë, qëkurse ai mund të gjejë një kundërshtim të armatosur nga organizatat rivale të rezistencës si dhe prej shumë politikanëve që kanë qenë në pushtet në regjimet italiane dhe gjermane dhe të cilët do t’i frikësoheshin ndëshkimit”.
- c) Formimi i një qeverie të përkohshme me liderë që ndodhen aktualisht në emigracion. Një qeveri e tillë mund të krijohej si gjatë pushtimit të Shqipërisë ashtu edhe në prag të çlirimit të saj dhe do të njihej nga kombet kryesore të bashkuara. Një njohje e kësaj qeverie do të përfaqësonte një ndryshim në politikën e shpallur prej Shteteve të Bashkuara ndaj të ashtuquajturave “lëvizje të lira” të cilat pretendonin të përfaqësonin popujt në vendet e pushtuara ose armike. Në rastin e Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara kishin refuzuar të mbështesnin në vitet 1942-1943 përpjekjet e bëra për të krijuar një qeveri shqiptare në emigracion nën drejtimin e Zogut ose të Fan Nolit, sepse ndër të tjera kjo do të çonte automatikisht edhe në pranimin e Shqipërisë si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Në rastin konkret autorët e studimit ishin të mendimit që “pa dhënë një premtim të tillë, kombet kryesore të bashkuara mund të inkurajojnë fraksionet e ndryshme që të bashkohen. Liderët e një organizate të tillë të bashkuara atëherë do të ishin të aftë të shërbenin si një qeveri provizore, ose të merrnin pjesë në një qeveri të formuar brenda në Shqipëri, pas çlirimit të vendit, në qoftë se do të shihet se mbështetja popullore për ata ishte thelbësore”. Diplomatët amerikanë mendonin se kjo qeveri provizore mund të kryesohej nga Zogu. Arsyet që mbështesnin këtë zgjedhje ishin mbretërimi i tij i mëparshëm në Shqipëri dhe fakti se liderëve të tjerë në emigracion u mungonin cilësitë e duhura dhe mbështetja popullore. Por edhe lejimi i Zogut në krye të qeverisë së përkohshme nxirrte probleme të tjera, në radhë të parë mund t’i implikonte kombet kryesore të bashkuara në njohjen e së drejtës së tij për t’u kthyer në fron, të cilën ato deri tani kishin refuzuar ta bënin. Gjithashtu kjo zgjidhje mund të nxiste një luftë civile në Shqipëri midis fraksioneve zogiste dhe antizogiste si dhe mund t’u linte në kurriz Kombeve të bashkuara përgjegjësinë për imponimin e Zogut në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar. Aq më tepër që “fronti nacional çlirimtar, organizata më e fuqishme e rezistencës kishte deklaruar se nuk do të pranonte pretendimin e çfarëdo organizate të liderëve në emigracion të flasë në emër të Shqipërisë”.
- d) Formimi i një qeverie të përkohshme të “Kombeve të Bashkuara”. Ky variant qeverisje parashikonte krijimin e një qeverie të përkohshme me një bazë të gjerë përfaqësuese, në të cilën do të përfshiheshin përfaqësues të lëvizjes së rezistencës, pasues të ish mbretit Zog dhe të organizatave patriotike jashtë, dhe ndofta dhe nga regjimi aktual pro gjerman në qoftë se ndonjëri nga anëtarët e tij do të mund të ishte i pranueshëm për elementët e tjerë të koalicionit. Një qeveri e tillë sipas autorëve të studimit do të kishte një mbështetje të gjerë në Shqipëri dhe do të kishte një shans më të mirë për zhvillimin me sukses të zgjedhjeve të përgjithshme demokratike.
- e) Administrimi i Shqipërisë nga një qeveri aleate ushtarake. Kjo mënyrë organizimi e administrimi të Shqipërisë do të ishte e vlefshme në rastin kur Shqipëria do të bëhej teatër i operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, kur vendi përkohësisht mund të ishte nën kontrollin e kombeve të bashkuara dhe ku çdo qeveri shqiptare nuk do të mund të ruante rendin dhe të zgjidhte problemet komplekse administrative të krijuara nga influksi i një numri të madh forcash të Kombeve të bashkuara. Edhe në rastin kur Shqipëria do të mbetej jashtë zonës imediate të operacioneve do të ishte e qartë se asnjë qeveri provizore, qoftë edhe e përbërë nga forcat politike më të fuqishme të vendit, nuk do të ishte në gjendje të ruante rendin, të shmangte inkursionin e forcave greke ose jugosllave në territorin shqiptar, ose të përgatiste zhvillimin e zgjedhjeve të lira për të përcaktuar regjimin e ardhshëm definitiv në Shqipëri. Një qeveri e Kombeve të Bashkuara me funksionet e mësipërme do të duhej të përballonte edhe dilemën e statusit të Shqipërisë gjatë luftës. Autorët e studimit mendonin se “në qoftë se Shqipëria do të shikohej më tepër si një vend i çliruar se sa një shtet armik, një administratë ushtarake në të cilën shqiptarët nuk do të merrnin pjesë nuk do të ishte në përputhje me politikën amerikane dhe britanike. Në rastin kur ajo do të shihej si një territor i pushtuar, madje edhe pas mbarimit të operacioneve ushtarake në Rajon, nuk do të ekzistonte asnjë detyrim që shqiptarët, ushtarakë ose civilë, të merrnin pjesë në përpunimin e vendimeve kryesore për sa kohë që nuk do të ishin njohur “autoritetet kushtetuese” në Shqipëri”.
Përsëri në përfundim të këtyre alternativave Komiteti, ndërsektorial për Greqinë dhe Rajonin ballkaniko-danubian, shpreh pikëpamjet e tij. Ai është i mendimit se në kohën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman aty mund të ketë arsye të forta ushtarake për të reduktuar në minimum përgjegjësinë e autoriteteve ushtarake aleate për administrimin civil në Shqipëri. Komiteti e konsideronte të dëshirueshme se administrimi i vendit duhej përmbushur nga një qeveri e përkohshme shqiptare se sa nga një qeveri e përkohshme aleate. Një qeveri e tillë e përkohshme mund të vepronte nën kontrollin e një komisioni ushtarak aleat, i cili do të kishte autoritetin suprem në të gjitha çështjet të cilat kishin të bënin me luftën kundër Gjermanisë. Ndonëse komiteti nuk favorizonte vendosjen e një qeverie ushtarake aleate, ai mendonte se pushtimi i disa pjesëve të vendit nga trupat aleate dhe mbajtja e kontrollit suprem të administratës në duart e autoriteteve aleate mund të jetë e dëshirueshme si për arsye politike ashtu edhe ushtarake. Sipas këtij mendimi “këto masa do të mund të tentonin të diskurajonin çdo përpjekje nga ana e shteteve fqinje për të cenuar territorin ose pavarësinë e Shqipërisë në periudhën konfuze që do të vijë pas çlirimit të këtij rajoni nga kontrolli gjerman dhe do të përbëjnë gjithashtu garanci të përgjithshme nën të cilat populli shqiptar do të mund të bënte zgjedhjen e tij për një formë të përhershme të qeverisë”. Përgjithësisht komiteti nuk ishte kundër as edhe alternativave të tjera të qeverisjes të paraqitura më sipër.
- Demokraci apo despotizëm iluminist
Fuqitë e mëdha aleate kishin deklaruar që në Dhjetor 1942, se ata dëshironin që populli shqiptar të përcaktonte regjimin e tij të qeverisjes përmes zgjedhjeve të lira. Por Këmpell i departamentit të shtetit konkludonte se në historinë shqiptare nuk ekzistonte tradita e zgjedhjeve të lira mbarëkombëtare. Për rrjedhojë përsëri në departamentin e shtetit u pa e arsyeshme që të përpunoheshin disa zgjidhje alternative. Mes këtyre zgjidhjeve e para që u mor në konsideratë ishte zgjedhja e një asambleje kushtetuese. Për të qenë e sigurt se kjo asamble do të përfaqësonte popullin shqiptar, Kombet e Bashkuara duke vepruar përmes autoriteteve të tyre civile dhe ushtarake në Shqipëri do të vëzhgonin zgjedhjet dhe do të merrnin përgjegjësinë për rregullsinë e tyre. Alternativa e dytë që paraqitej ishte që me mbarimin e pushtimit ose të kontrollit të Kombeve të bashkuara çështja e formës së përhershme të qeverisë të mos i nënshtrohej votës popullore, por të lihej në pushtet një qeveri me përfaqësim të gjerë të gjitha forcave politike. Kësaj qeverie do t’i kërkohej që të organizonte zgjedhjet për në asamblenë kushtetuese në një periudhë të caktuar kohe. Kjo zgjidhje sugjerohej ndër të tjera edhe për të mos kompromentuar kombet e bashkuara dhe veçanërisht fuqitë e mëdha në luftën e brendshme politike në Shqipëri dhe për të mos krijuar pengesa për marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të ardhmen.
Plebishiti u konsiderua si rruga e tretë e mundshme përmes të cilit populli shqiptar mund të shprehte lirisht vullnetin e tij politik. Çështja kryesore që do të hidhej në këtë plebishit do të ishte se çfarë forme do të kishte regjimi shtetëror në Shqipëri, monarki apo republikë. Në varësi të kësaj do të votohej edhe çështja tjetër nëse dëshirohej apo jo kthimi i Zogut në Shqipëri. Alternativa e 4 i shtonte asaj të tretës zgjedhjet e menjëhershme për asamble kushtetuese e cila do të përcaktonte regjimin konsituticonal që në një kuadër të gjerë ishte vendosur nga plebishiti. Varianti i fundit që propozoi ishte restaurimi i ish-mbretit Zog dhe pranimi i zotimit të tij për të thirrur një asamble kushtetuese si një njohje e mjaftueshme e të drejtave të popullit shqiptar për të zgjedhur formën e tij të qeverisë. Kjo alternativë mbështetej në faktin se Zogu kishte premtuar të lejonte zgjedhje të lira dhe demokratike në të cilat do të vendoseshin të gjitha çështjet konstitucionale, duke përfshirë këtu siç duket edhe statusin e tij si mbret. Skepticizmi që mbizotëronte në shumicën e liderëve politikë shqiptarë dhe përvoja e së kaluarës e bënin jo shumë të besueshme këtë alternativë. Paraqitja e këtyre alternativave padyshim që bëhej edhe nga këndvështrimi i interesave amerikane. Diplomatët amerikanë nuk e përjashtojnë ndërhyrjen e qeverisë së Shteteve të bashkuara dhe të qeverive të kombeve kryesore të bashkuara në përcaktimin e formës së përhershme të qeverisjes që mund të vendoset në Shqipëri. Një qëndrim i tillë argumentohet në rastin kur restaurimi i pavarësisë shqiptare dhe krijimi i qeverisë do të bëhen me ndihmën e forcave aleate ndofta nën pushtimin ose mbikëqyrjen aleate dhe sidomos në rastin kur qeveritë e kombeve kryesore të bashkuara do të marrin përsipër rindërtimin ekonomik dhe organizimin politik ndërkombëtar në këtë rajon. Studiuesit ishin të hapur në këtë aspekt kur shkruanin se “nisur nga fakti se në periudhën e paraluftës Pavarësia e Shqipërisë ishte me tepër fiktive se reale, dhe nga mundësia që statusi i ardhshëm i Shqipërisë mund të jetë subjekti i një marrëveshje ndërkombëtare që do të parashikonte ndihmë dhe udhëheqje dhe ndofta kufizimin e sferës së veprimtarisë së politikës së jashtme, cështja e formës së qeverisë mund të ketë aspekte ndërkombëtare”. Mungesa e traditës demokratike perëndimore të qeverisjes në Shqipëri i shtyn diplomatët amerikanë që të marrin në konsideratë edhe të keqen më të vogël që mund të ndodhte, vendosjen e një regjimi që ata e quajnë “despozitën iluminist”. Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera të bashkuara “mund të pranonin me qetësi një regjimin autoritar i cili mbante parasysh respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të vendit”. Duke njohur përvojën negative të së kaluarës në Shqipëri dhe shkallën e emancipimit në vend, në studim parashikohet si e pashmangshme koncentrimi i pushtetit në duart e ekzekutivit, qoftë ai mbret apo president. Aty thuhet se “edhe në një regjim demokratik në të cilën ai do të mund të ndante pushtetin me një legjislativ të zgjedhur në mënyrë popullore, shkalla me të cilën qeveria përfaqëson dëshirat dhe interesat e popullit do të varen më tepër nga prirjet personale dhe politikat e kryetarit të ekzekutivit se nga çdo mekanizëm elektoral ose parlamentar”. Një ide tjetër e fundit, e nënvizuar në studim dhe që ka gjithnjë parasysh realitetin shqiptar ishte se ne Shqipëri do të ekzistojë gjithnjë rreziku që një sundues diktatorial me qëllim që të forcojë pozitat e tij në vend do të ndiqte një politikë të jashtme aventureske dhe t’u bënte koncesione një fuqie të jashtme për të fituar mbështetjen e saj.