Pastrim parash dhe fshehje pasurie, Alda Klosi shtrohet në spital
Ish-zyrtarja Alda Klosi është shtruar në spital. Ajo një ditë më parë u arrestua nga policia nën akuzën për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Klosi ka shfaqur probleme kardiake dhe është dërguar në spital që prej ditës së djeshme.
Të hënën do të zhvillohet seanca për masën e sigurisë dhe ende nuk dihet nëse zyrtarja do të paraqitet. Prokuroria do të paraqesë sot kërkesën në gjykatë për masën ”arrest me burg” për Klosin, ndërsa do jetë gjyqtari Arben Mico i cili do të vendosë për masën e sigurisë.
Ajo që është më e fortë në dëshminë e pastrueses, është fakti që sipas Rozeta Dobit, në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi vinin para me çanta gjatë gjithë kohës, por është shprehur se nuk e njeh personin që i sillte ato. Nga ana tjetër, Alda Klosi në dëshminë e saj pak pas arrestimit ka mohuar që të ketë pasur marrëdhënie shoqërore me pastrueses e saj, Rozeta Dobi.
Policia ka dyshime për të dyja dëshmitë. Kjo sepse ka dyshime se Rozeta Dobi mund të ketë dalë në këtë alibi për t’ia hedhur fajin zyrtares, për të shpëtuar pozitat e djalit të saj, Havier, edhe ky i fundit i arrestuar. Ashtu sikurse me rezerva merret edhe dëshmia e zyrtares, e cila i qëndron deklaratë së saj se është “e pafajshme”, dhe se “paratë ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer” .