Pastrohen malet nga Kruja në Tropojë, 7 mijë policë asgjësojnë mbi 24 mijë bimë kanabisi

7000 efektivë dhe 90 dronë në një magaoperacion policor, për të çuar në asgjësimin e mbi 24 mijë bimëve kanabis gjatë kësaj fundjave. Operacioni që ka zgjatur 72 orë është shtrirë në malësinë e Krujës, Shkodrës, Lezhës dhe Tropojës, duke ndërhyrë në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella. Po ashtu bëhet me dije se në fshatin Arst të Pukës, janë sekuestruar 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve.

“U shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi N. H., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, shtetasin K. B., për shpërdorim detyre”, sqarojnë uniformat blu.

Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.

Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme. Në qarkun Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.

Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë.

SHKARKO APP