Pasuritë e konfiskuara për përfitime sociale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në konferencën mbi administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara. Të pranishëm në këtë konferencë ishin dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, Ambasadori i Italisë në Tiranës, Alberto Cutillo, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, si dhe Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizëm në Republikën e Italisë, Federico Cafiero De Raho.

Në fjalën e saj, ministrja Denaj tha se përmes masave ligjore të ndërmarra, Shqipëria është pozicionuar sot në hartën e vendeve të angazhuara fort në luftën kundër Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe në Luftën kundër Financimit të Terrorizmit. Një ndër këto masa është miratimi në parlament i ligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara” i cili, ndër të tjera, mundësoi krijimin e mekanizmave ligjorë për të menaxhuar në mënyrë efektive pasuritë e ngrira dhe të konfiskuara, si dhe lejoi ushtrimin e kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme të cilat amortizohen prishen apo në rënie të vlerës.

Sipas saj, konfiskimi dhe vendosja në dispozicion për përfitime sociale e pasurive nga burime jo të ligjshme mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për sistemin në tërësi, pasi sot vetëm rreth 40% e pasurive të sekuestruara konfiskohen. ”Vetë proceset e gjata vendimmarrëse cenojnë dhe vështirësojnë shpeshherë përdorimin, shitjen dhe maksimizimin e këtyre pasurive. Mjaft e rëndësishme është ecuria e mëtejshme e Reformës në drejtësi dhe angazhimi ynë për miratimin e legjislacionit dytësor për përmirësimin e shitjes dhe përdorimit të këtyre pasurive”. Ministrja ftoi të gjithë aktorët të angazhohen për një bashkëpunim institucional më të gjerë për të bërë të mundur avancimin e kuadrit ligjvënës dhe atij zbatues për Sekuestrimin, Konfiskimin dhe Administrimin e Pasurive të fituara përmes krimit dhe në tërësi për Zbatimin e Plotë të Reformës në Drejtësi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?