Pasuritë e sekuestruara nga krimi, Gjebrea: Presim më shumë efikasitet
Ndryshimet në ligjin “për administrimin e pasurive të sekuestruara”, duke rritur rolin e Agjencisë së Administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara rrit efikasitetin në luftën ndaj krimit të organizuar. Deputetja e PS-së, pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Elona Gjebrea gjatë një interviste për ”ATSH”, ka nënvizuar se ndryshimet ligjore që pritet të kalohen në Kuvend janë pjesë e paketës ligjore të miratuar nga qeveria që diktohen nga nevoja për të luftuar frontalisht krimin e organizuar.
Sipas saj projektligji ka të bëjë pikërisht me mundësinë që të kemi një mirëadministrim të pasurive të konfiskuara apo sekuestruara dhe një fuqizim të rolit të Agjencisë për Administrimin e pasurive të sekuestruara e konfiskuara.
”Sipas ligjit të ri, kjo agjenci do të kalojë nën varësi të Ministrisë së Brendshme, dhe nuk do të jetë më në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Do të kemi një rol të shtuar të Komitetit ndërinstitucional përsa i takon masave ndaj krimit të organizuar, që do ketë një rol vendimmarrës dhe do të bashkëpunojë me agjencinë në fjalë. Në këtë mënyrë do të ketë dhe një shpejtësi dhe një efikasitet më të mirë sa i takon luftës ndaj krimit të organizuar. Është një risi në fakt. E quaj një projektligj të nevojshëm, aq më tepër që bëhet fjalë për një masë, si pjesë e një pakete të ndërmarrë nga qeveria e ndikuar nga nevoja për një luftë frontale ndaj krimit të organizuar”.
Ajo sqaroi dhe përse është me rëndësi që administrimi i pasurive të sekuestruara të realizohet nga një agjenci brenda Ministrisë së Brendshme, duke eliminuar hallkat dhe burokracitë e tepërta. ”Nëse ne kemi një sekuestrim të aseteve të caktuara kriminale nga ana e Policisë dhe administrim nga një strukturë tjetër që nuk është nën administrim të Ministrisë së Brendshme, kjo sjell një rritje të burokracisë dhe hallkave të cilat duhen tejkaluar, por duke qenë një strukturë brenda Ministrisë së Brendshme, atëherë rritet mirë koordinimi dhe institucionet bashkëveprojnë më mirë duke lehtësuar mënyrën se si këto prona të vëna nën sekuestro do të mirë administrohen”.