Patentat dhe gjobat e falura, qytetarët i rimarrin brenda datës 15 maj

Të gjitha lejet e drejtimit dhe automjetet e bllokuara për shkak të shkeljes së ligjeve të nxjerra në kuadër të pandemisë, do t’u rikthehen qytetarëve brenda datës 15 maj. Akti Normativ ka hyrë tashmë në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare, ndërsa rregullat e detajuara do të përcakothen përmes një udhëzimi të Ministrisë së Financave.

Mënyra dhe rregullat e hollësishme të kthimit të shumave të paguara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Dokumenti përfshin edhe faljen e gjobave të vendosura nga momenti i konstatimit të pandemisë koronavirus në vend deri më datën 17 prill, kohë kur u njoftua edhe nisma nga kryeministri Edi Rama.

Sipas Aktit Normativ, vlera e gjobave të shlyera nga qytetarët do t’u rikthehet atyre në mënyrë automatike në llogarinë bankare. Në mungesë të saj, shuma i dërgohet institucioneve që kanë vendosur penalitetet, për t’ia dorëzuar individëve përfitues. Institucionet shtetërore duhet të bëjnë dorëzimin e listave me të gjithë personat që janë gjobitur me të gjitha të dhënat e detajuara për secilin prej tyre brenda datës 30 prill, ndërsa kthimi i shumave të tyre është parashikuar të kryhet deri më 15 maj 2020.

SHKARKO APP