Patozi: Mediat në shantazh, askush nuk do të shkojë për dhjamë qeni

Duke folur në parlament për marrëveshjen me Spanjën, deputeti demokrat Astrit Patozi akuzoi qeverinë se shtyp dhe kërcënon median në Shqipëri, duke e blerë dhe shantazhuar atë.

Fjala e plotë e Astrit Patozit në parlament

Kjo është një marrëveshje tip, që bëhet gati njësoj me shumë shtete, dhe si e tillë nuk duhet të kishte shumë diskutime. Por unë mendoj se më shume se informacionin e kualifikuar ky vend ka problem me informacionin e thjeshtë.

E kemi bërë zakon që  në fushata zgjidhim, jo vetëm thesin e premtimeve, por edhe atë të akuzave për njeri-tjetrin. I kemi mësuar edhe njerëzit me këtë  ushqim të skaduar, ndaj edhe askujt nuk i bën ndonjë përshtypje shumëfishimi i dozës, me afrimin e datës së zgjedhjeve. Është një praktikë e shëmtuar, por ka edhe probleme më të rënda në fushatë, ndaj edhe nuk ia vlen shumë të qahemi për këtë.

Por çfarë shikoj të re kësaj radhe? Që megjithëse jemi në pikun e fushatës, shumica e mediave mbyllin një sy dhe bëjnë sikur nuk e shohin sa herë që i kalon afër ndonjë lajm kundër mazhorancës. Dhe kjo është risi për vendin ose nëse do ta quajmë kështu, një vlerë e sjelle nga “Rilindja”, pas zgjedhjeve të 2013-ës.

Dje disa media guxuan dhe publikuan lajmin se bashkëshortja e Erion Veliaj kishte shërbyer si përfaqësuese ligjore e një trafikanti gjeorgjian, që dyshohet se ka bërë pastrim parash edhe në Shqipëri. Por, në darkë lajmi kishte mbetur vetëm tek LAPSI, një portal i njohur online, disa e kishin fshirë me nxitim, disa e kishin hequr fare, ndërsa për të tjerët nuk ekzistonte.

Si opozitar kam të gjithë predispozitën të kem dyshimet e mia, por natyra dhe profili im nuk ma lejojnë që të them fjalën e fundit të parën, ndaj edhe rezervohem të shprehem sot për implikim mafioz të familjes së një kundërshtari politik. Qoftë ky edhe një pezzo grosso, si Erion Veliaj, kandidati i mazhorancës për kryeqytetin, ose ndryshe figura e dytë e Partisë Socialiste, pas Edi Ramës, e me shumë gjasa pasardhësi i tij. Natyrisht, që duhet të presim me shumë  të  dhëna dhe nëse institucionet ligjzbatuese do të bëjnë ndonjë  perçapje për të zbardhur çështjen, ndonëse besimin e kam shumë të vogël, që kjo të ndodhë. Arsyeja e mosbesimit tim është e thjeshtë, këtu nuk po guxon kush të shkruajë, jo më të hetojë.

Ndaj edhe më bën shumë përshtypje fshehja e këtij lajmi, ndërkohë që edhe një teshtime kundër opozitës botohet dhe amplifikohet gati kudo me shpejtësinë e dritës.

Mund të ketë plot këtu në sallë, por ndoshta edhe më shumë jashtë saj, që  të më “mbyllin” gjoja gojën, se kush jam unë që i jap  direktiva shtypit dhe e mësokam atë se çfarë duhet të botojë dhe çfarë  jo. Se shtypi është i lirë dhe slogane të  tjera për rolin e tij në një shoqëri demokratike. Por ne këtu të gjithë, por edhe ata jashtë, e dimë se është pikërisht kështu.

Dhe pyetja ime është e thjeshtë.

Çfarë po ndodh në këtë vend? Si ka mundësi që shumica e mediave në Shqipëri mbyllin ekranet dhe faqet e tyre për lajme të këqija për qeverinë. E theksoj, jo për komente, por për lajme. Madje, jo për gjithë qeverinë, por vetëm për segmente të caktuara të saj. Ku, si edhe në shumë fusha të  tjera shkëlqen Ilir Meta, të cilit vetëm po i the ndonjë gjë në parlament, dhe mund të jetë dikush duke e dhënë “live”, që mund të kalojë, se për çdo gjë tjetër bëjnë sikur nuk ndodhur, edhe gazetat, edhe televizionet.

Me këtë natyrisht që nuk dua të fajësoj mediat, jo për shkak se jam një ish-gazetar dhe e njoh mirë si funksion sistemi. Dhe as për solidaritet me ish-kolegët e mi. Por se kam bindjen e plotë se shtypi në Shqipëri është sot, herë i shantazhuar, herë i blerë, dhe në shumicën e rasteve, i ka në shpinë të dyja bashkë. Dhe në të gjitha rastet është qeveria që korrupton, shtyp dhe kërcënon.

Dikush mund të thotë me të drejtë, po shtypi vetë nuk paska fare faj, në këtë raport të deformuar?Çfarë mund të thuhet për një gazetar apo për një media që paska frikë të thotë disa të  vërteta apo thjesht të  botoje disa fakte? Të jemi të drejtpërdrejtë. Shtypi nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë frikë nga politikanët. Në  boten demokratike jo se jo, por edhe në Shqipëri eksperienca ka treguar të kundërten. Se shtypi i ka fituar te gjitha betejat me politikën, sa herë është ndeshur dhe me të gjithë, pa përjashtim. Presidentë, kryeministra, ministra, kryetare bashkie, deputetë, prokurorë apo gjykatës, sepse edhe këta të fundit në zgjatime të politikës janë shndërruar. Sipas meje, është në të gjitha rastet një betejë, që e ka fundin e paracaktuar.

Por shtypi, sigurisht, që stepet dhe ka arsye të ketë frikë nga bandat që bëjnë ligjin në këtë vend. Dhe këtu është problemi në Shqipërinë e “Rilindjes”. Sa kohë që sheh se kryeministri dhe ministrat, por sidomos kryetari i Kuvendit është mik i “të fortëve”, në mjaft raste edhe publik, gazetari mendohet një mijë herë para se të shkruajë. Dhe me të drejtë. Askush nuk do të shkojë për dhjamë qeni, qoftë edhe për një të vërtetë të pastër, në një vend ku çdo ditë, që kalon, po shuhet çdo grimcë  idealizmi. Nëse dikush thërret në vilën e tij një samit me eksponentë më të shquar të krimit të organizuar në Shqipëri, mu në kulmin e fushatës elektorale, mediat nuk e shkruajnë dot, jo se kanë frike nga politikani organizator, por nga ata të tjerët, të cilët kanë qenë të ftuarit e tij. Dhe ne duhet t’i mirëkuptojmë ata gazetarë, që  nuk duan të bëhen heronj, në një vend, ku po bien për ditë e më shumë skrupujt morale dhe po mbizotëron pragmatizmi dhe interesat e ngushta, që të  çojnë në lidhjet me pjesën më okulte të politikës.

Nëse ka botues që blihen me para të pista, ne nuk mund ta kërkojmë problemin tek gazetarët, që  herë i marrin dhe herë nuk i marrin rrogat në fund të muajit, por tek qeveria që korrupton me shuma, qe ndahen veç nga super-vjedhjet e financave publike. Disa prej te cilave kryhen gati para syve të të gjithëve, si për karshillëk nga zyrtarë të lartë të kësaj qeverie. Dhe kjo është një atmosferë e frikshme, e cila e kapërcen Shqipërinë e vitit 2001, kur qeveria shpërndau edhe publikisht qindra milionë për gazetat, gjoja për të ndihmuar shtypin, që të mos falimentonte.

Para disa ditësh po shihja kryeministrin të akuzonte një kandidat të opozitës se kishte ndërruar parti. E dhanë dhe e stërdhanë  lajmin dy ditë rresht të gjithë, por askush nuk u kujtua se kandidatët e Edi Ramës kanë  ndërruar edhe emrin. Tani më thoni se kush është më shumë problem për qytetarët, një kandidat që ndërron partinë apo një tjetër që ndërron emrin e vet? Ndërkohë që vetëm dy ditë më parë vetë  kryeministri kishte qenë në Kukës duke bërë Hosana për Hasanin.

Është shumë evidente që  LSI bën një fushatë shumë më  të kushtueshme edhe se vetë Partia Socialiste, se me opozitën as që krahasohet, ndonëse është shumë më e vogël se ajo në përmasa. Madje të tillë e ka bërë edhe kur ishte vetëm me 4 deputetë, dhe askush nuk guxon as ta përmendë këtë  fakt. Le të thonin të paktën që kjo vjen për shkak se anëtarët e LSI janë shumë  të rregullt në pagesat e kuotave të partisë.

I thashë të gjitha këto, jo thjesht si shqetësim të opozitës, që natyrisht është e dëmtuara më e madhe, por si një këmbanë alarmi për të gjithë shoqërinë, që në një farë mënyre është  e përdhunuara në grup e kësaj qeverie. Sepse kjo është karakteristike e vendeve, që dalëngadalë shndërrohen në regjime kleptokratike, në të cilat mafia kap shtetin dhe liritë dhe të drejtat e njeriut bien një nga një, derisa vjen një ditë dhe ato mbeten vetëm në letër.

Për shkak të kësaj qeverie, kemi mbërritur në një pikë kritike të lirisë së shtypit dhe ky është një kërcënim real për vendin. Dhe kjo është një bjerrje vlerash që bren pa mëshirë dhe pa shumë zhurmë gjithë sistemin. Por mbi të gjitha është një rrezik real për zgjedhjet e 21 qershorit, që janë në prag. Sepse, kur shtypi blihet dhe kërcënohet nga qeveria, është shumë më e thjeshtë që edhe votat të  blihen dhe njerëzve t’u deformohet vullneti me presion, sepse praktikisht krimi konsumohet pa dëshmitarë.

Natyrisht, që  edhe opozita ka rolin e vet, jo thjesht për ta denoncuar këtë “sukses” të pashpallur të Edi Ramës dhe Ilir Metës, por për të mos e lejuar që humnera e lirive të shtypit të bëhet edhe më e thellë. Të mos na gënjejë mendja se me pak sforco mund ta zgjidhim vetë këtë problem.

Opozita nuk mund ta zëvendësojë kurrsesi shtypin në një vend të lirë, sado e fuqishme, guximtare, e motivuar dhe e aftë që të jetë ajo. Ne nuk e mbushim dot hendekun e heshtjes së blerë apo imponuar të shtypit edhe sikur ta mbajmë parlamentin hapur çdo ditë dhe 24 orë në 24, jo më një herë në javë, vetëm ditën e enjte në drekë. Jo thjesht se jemi dhe gjykohemi si palë, por më shumë për faktin se çdo shoqëri demokratike nuk bën dot pa pushtetin e katërt. Dhe ky nuk është thjesht një slogan.

SHKARKO APP