Patozi: Zjarrvënia duhet trajtuar si terrorizëm, shtatori mund të na gjejë pa asnjë pyll në këmbë

”Trajtimi i zjarrvënësve si të jenë fëmijë, që luajnë me top përpara pallatit dhe maksimumi mund të thyejnë ndonjë xham”, ky është shqetësimi që shpreh Astrit Patozi, i cili bën thirrjen që zjarrvënia duhet trajtuar si terrorizëm.

Postimi i plotë nga Astrit Patozi

Dakord që nga debati për Bregoviçin do të vendoset fati i kombit dhe të gjithë duhet të jemi në gatishmëri luftarake në dispozicion të tij, por mendoj se ka edhe çështje të tjera shqiptare, që nuk duhet nënvlerësuar.
Fjala vjen zjarret, që po përpijnë çfarë gjejnë përpara prej shumë ditësh, nga të katër anët e atdheut, po të doni, mund të llogarisni këtu edhe Kosovën.

Nuk po merrem me mungesën e mjeteve dhe të përgatitjes së pamjaftueshme të strukturave të posaçme të shtetit shqiptar për emergjenca të tilla, sepse kjo është temë e gjatë. Por ajo që bën më shumë përshtypje është trajtimi i zjarrvënësve si të jenë fëmijë, që luajnë me top përpara pallatit dhe maksimumi mund të thyejnë ndonjë xham.

Dënimet e tyre nuk mund të jenë kurrësesi të ngjashme me shoferët e makinave, që nuk vendosin rripin e sigurimit. Dhe çfarë është më absurdja, ata nuk mund të dërgohen në “arrest shtëpie” nga gjykatat tona të papërgjegjshme, ndërkohë që flakët vijojnë të shkaktojnë dëme të pallogaritshme dhe gati një frustrim kombëtar.
Të paktën të presin të fiken zjarret, se e di që nuk durojnë dot pa i liruar, sepse flakën e quajnë të vërtetë vetëm po ra në shtëpitë e tyre.

Por në fakt, zjarrvënia duhet trajtuar si një formë terrorizmi, sepse e tillë është. Nuk jam shumë familjar me parashikimet e Kodit tonë Penal për këtë lloj krimi, por jam i bindur që në këtë pikë ai duhet ashpërsuar edhe më shumë, gjithësesi. Dhe deri atëherë vëmendja duhet përqëndruar se çfarë bëhet me gjyqet e piromanëve, njësoj siç bëjmë me vrasësit apo me kapot e krimit të organizuar, kur dalin para drejtësisë.

Ndryshe nuk është çudi që zjarrvënia të kthehet në një sport popullor, aq argëtues, sa shtatori të na gjejë pa asnjë pyll në këmbë. Dhe kjo ndoshta do ta shuante interesin për atë se çfarë do të bëjë Luli me doktorin, kur të nisë sesioni parlamentar, si një ndër kërshëritë më të mëdha publike në trojet shqiptare.

Natyrisht, pas asaj të Bregoviçit, që do të këndojë në Korçë në mes dy zjarreve, atyre natyralë, dhe të tjerëve patriotikë. Këta të dytët, në çdo rast më të fuqishëm dhe më të kudopërhapur se të parët.

SHKARKO APP