”Patrullë e Përgjithshme”, nis faza e testimit fizik
Ka nisur sot faza e dytë e konkurimit, testimi fizik, për Patrullë të Përgjithshme. 1040 konkurrentët të cilët u kualifikuan nga faza e parë, testimi me shkrim, do t’i nënshtrohen këtij testimi fizik që vlen 20% të vlerësimit final. Testimi fizik po zhvillohet në ambientet e reja të Repartit Special “RENEA”, në Yzberisht dhe procesi ka nisur që prej orës 07:30 të mëngjesit.
Policia e Shtetit publikoi dje listën finale me 1040 kandidatët fitues në testin me shkrim për Patrullë Policie, zhvilluar javën e shkuar në Tiranë. Sipas policisë në përfundim të vlerësimit me shkrim nga 2012 kandidatë që hynë te testi me shkrim, 1040 kandidatë kalojnë në fazën e dytë dhe tashmë do të marrin pjesë te testi fizik.
Testi me shkrim ishte 70% e vlerësimit total, pas kësaj të kualifikuarit kalojnë testet fizike, atletike, që përbëjnë 20%, të vlerësimit total dhe në fund janë intervistat, testi psikologjik, kjo është 10% e vlerësimit total. Në përfundim të gjithë procedurës, do të jenë vetëm 500 nga aplikantët që do fitojnë të drejtën për të ushtruar detyrën e Patrullës së Policisë, pasi të kenë marrë kualifikimin e duhur në Akademinë e Sigurisë.
KOHA JONË SONDAZH

