Pazari i Ri, Veliaj: Po bëjmë një treg model

Pas përfundimit të rrjetit të kanalizimeve për projektin e Pazarit të Ri, shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i markatës së fruta-perimeve, duke sjellë një treg model për Tiranën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në zonën e Pazarit e Ri, tha se projekti gjatë muajit janar do të njohë një tjetër fazë zhvillimi.

“Jemi shumë të kënaqur nga mënyra se si është operuar me kanalizimet, duke kryer të gjitha rrjetet e nevojshme. Këtë muaj, do të fillojmë edhe ndërtimin e markatës së fruta-perimeve. Më pas, bashkia do të ndërtojë markatën e mishit dhe të peshkut. Ideja është që të kemi sa më shumë hapësira të tilla pedonale, sa më shumë hapësira për komunitetin e sa më shumë hapësira me tregje që i shërbejnë qytetarëve në mënyrë higjenike”, u shpreh Veliaj.

Duke theksuar se ky ndryshim duhet përqafuar nga të gjithë, kryebashkiaku i Tiranës shprehu besimin se në Pazarin e Ri bashkia po ndërton një model si do të jenë tregjet në qytet dhe vizioni i bashkisë mbi hapësirat komunitare të Tiranës.

“Me modelin që po ndërtojmë në Pazarin e Ri, do të kemi mundësi të vijojmë edhe në hapësira të tjera”, tha Veliaj.

Ai e konsideroi si të suksesshëm eksperimentimin me tregjet e lëvizshme gjatë periudhës së festave të fundvitit, të cilat synonin promovimin e produkteve bio lokale.

“Tregu i gjelave në Baldushk ishte një sukses, po ashtu edhe markimi i disa produkteve lokale si vaji i Ndroqit apo domatja e Shëngjergjit. Hapësira të tilla si tregu i Pazarit të Ri, janë një mundësi fantastike që të vazhdojmë dhe të promovojmë produktet e prodhuara në Tiranë ‘Made in Tirana’”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, kjo është mënyra e vetme se si paratë qëndrojnë në ekonominë e qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi edhe vijimin e disa investimeve të tjera që lidhen me sistemimin e tregjeve të qytetit.

“Do të kemi një treg në rrugën ‘Petro Nini Luarasi’, që lidhet në kryqëzim me rrugën “Vath Koreshi”, e cila ka qenë një ngërç i jashtëzakonshëm; po ashtu edhe në rrugën e Porcelanit, ku kemi një treg të improvizuar e që kërkon patjetër ndërhyrje për sistemim. I gjithë ky frymëzim vjen nga standardi që po vendosim këtu në Pazarin e Ri”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi gjithë qytetarët që kanë treguar bashkëpunim për realizimin e projektit të Pazarit të Ri dhe se falë këtij projekti shumë investitorë po i afrohen kësaj zone. Inaugurimi i fillimit të punimeve për Pazarin e Ri u bë më 7 tetor 2015, punime të cilat pritet të mbarojnë brenda afatit të parashikuar.

SHKARKO APP