PBDNJ: Vandalizëm në Himarë, u grisën posterat e kandidatit Beleri

 

Situata elektorale është tensionuar jo pak edhe në jug të vendit. Por ndryshe nga zonat e tjera, ku rivaliteti i ashpër zhvillohet mes partive të mëdha të dy koalicioneve, në jug shqetësime ka pasur mes kandidatëve të partive të mëdha dhe atyre të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Kështu, përveçse në Konispol, ku kandidatët kanë bërë politikë edhe mbi baza etnike, duke futur edhe frymën e përçarjes së banorëve të kësaj zone, në Himarë janë dëmtuar posterat e kandidatit të PBDNJ-së.

Kjo është denoncuar dje nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila i ka quajtur akte vandalizmi heqjen dhe grisjen e posterave të kandidatit të saj Fredi Beleri.

“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut denoncon aktet e vandalizmit të ndodhura në zonën e Lukovës dhe Vranishtit, si heqja me dhunë e posterave elektoralë të PBDNJ-së dhe kandidatit të saj për kryetar në Bashkinë e Himarës, z. Fredi Beleri. PBDNJ iu bën thirrje të gjithë kandidatëve elektoralë të distancohen nga akte të tilla të shëmtuara, të cilat cenojnë atmosferën dhe standardet europiane zgjedhore, duke i ftuar të vazhdojnë garën elektorale në një mjedis të drejtë, të barabartë, të qetë dhe paqësor”, – thuhet në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat nga PBDNJ dhe që ishte hartuar edhe në gjuhën angleze për ambasadat e huaja.

SHKARKO APP