PD: 35% të zgjedhësve u është ndryshuar adresa e qendrës së votimit! Synohet manipulimi i zgjedhjeve
Rithemelimi ka akuzuar Ministrinë e Brendshme për manipulim të listave zgjedhore, duke zhvendosur 35% të zgjedhësve të 14 majit. Ivi Kaso, sekretari i Rithemelimit për Çështjet Ligjore, tha se janë në total 1.276.418 janë zhvendosur nga qendrat e tyre të votimit, në adresa që i di vetëm qeveria por jo qytetarët.
“Ministria e Brendshme ka manipuluar listat, duke zhvendosur, jo pak por 35% të zgjedhësve të 14 majit. E thënë në numra të saktë: plot 1,276,418 zgjedhës janë zhvendosur në adresa që i di qeveria, por jo qytetarët. Edhe pse Auditi i Komisionerit Zgjedhor e ka zbuluar dhe theksuar këtë shkelje të rëndë, që minon zgjedhjet, Ministria e Çuçit dhe Ramës, vazhdon me të njëjtin plan që do ta kthente 14 majin, jo në ditë zgjedhjesh, por në një Google Maps që ka marrë virus. Ky është skenar i njëjtë me të vitit 2003, ku zgjedhësve u ndryshohej qendra e votimit pa kërkesën, apo miratimin e tyre”,-tha Kaso.
Për të është zgjedhur me qëllim nga ministri Çuçi për të frustruar zgjedhësit në mënyrë që këta të fundit të mos votojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ndryshimi i qendrave të votimit sipas sekretarit të Rithemelimit, cënon shumë rëndë parimin e sigurisë juridike të votuesve dhe ndikon në të drejtën e votës.