PD akuzon Veliaj për falsifikim dokumentesh, ngre dy padi

 

Nëpërmjet një deklarate për media nga selia blu, këshilltari Fabian Topollaj, ka kërkuar hetim të shpejtë për kryebashkiakun Veliaj.

Këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj, për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”.

Pas protestës së opozitës ka pasur përplasje mes kryebashkiakut Veliaj dhe PD-së, pas gjobës që i vendosi Bashkia e Tiranës për dëmet e shkaktuara.       

Deklarata e plotë:

“Drejtori i Edi Ramës në bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka konsumuar dy vepra të rënda penale në një ditë: falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Kuraja dhe integriteti i inspektorit Besmir Karaj zbuloi shkeljet e rënda të Veliajt, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të fituar simpatinë e shefit të tij, duke i vendosur gjobë popullit protestues. Deri dje, akti i Veliajt ishte komik dhe qesharak, dhe mbarë opinioni publik u tall me të. Por nga dje, rezulton se kemi të bëjmë me shkelje serioze të ligjit dhe me dy vepra të rënda penale, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Tashmë në prokurorinë e Tiranës ka një kallëzim penal të kryer nga inspektori Karaj. Ne i kërkojmë prokurorisë të hetojë me shpejtësi dhe të nxjerrë përgjegjësitë e Veliajt para ligjit. Çdo qytetar i vendit do të ishte pas hekurave tani me këto dy vepra penale, të provuara tashmë publikisht. Prokuroria ka rastin të tregojë se ligji funksionon për të gjithë dhe se Erion Veliaj nuk ka imunitet kur falsifikon dokumente e shpërdoron detyrën. Abuzimi i drejtorit të Ramës në bashki është një prej padrejtësive që shkakton kjo maxhorancë që e solli popullin në protestën madhështore të 8 dhjetorit. Protestë që do të rritet e nuk do të ndalet derisa klika e korruptuar që nëpërkëmb ligjin si t’i dojë qejfi të largohet, e vendit t’i hapet një rrugë e re”.

 

SHKARKO APP