PD ankimon gjobën 163 milionë lekë të vendosur nga Bashkia e Tiranës

Me sa duket, Partia Demokratike nuk e ka kaluar edhe me aq humor punën e gjobës së vendosur nga Bashkia e Tiranës për vandalizimin e qytetit gjatë protestave të 8 dhjetorit të kaluar.

Por, gjoba 163 milion lekë duke se i ka dhembur selisë blu, e cila e ka marrë shumë seriozisht atë, duke e ankimuar në gjykatën administrative e duke kërkuar anullimin e saj.

Burime nga gjykata kanë konfirmuar për gazetën se PD-ja e ka ankimuar prej disa ditësh gjobën e vendosur nga bashkia, pavarësisht se fillimisht drejtuesit e saj e kishin anashkaluar atë, ndoshta edhe për faktin se kanë menduar se Bashkia e Tiranës nuk do ta çonte deri në fund çështjen.

 Drejtuesit e PD-së duket se i kanë bërë mirë llogaritë dhe kanë vendosur që ta ndjekin çështjen në gjykatë, pa dashur të paguajnë gjobën për vandalizimin e qytetit gjatë protestës që ata vetë e kishin thirrur në 8 dhjetor. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka përsëritur më shumë se një herë se gjoba do të paguhet, qoftë edhe me anë të bllokimit të llogarisë bankare të PD-së.

 Burime nga bashkia e kanë konfirmuar këtë fakt për gazetën, duke nënvizuar se pagesa e gjobës nga PD-ja është e pashmangshme.

 Megjithatë, ajo që nuk dihet ende është fakti se çfarë kanë ankimuar konkretisht drejtuesit e PD-së: 87 protestuesit që urinuan atë ditë apo numrin e pusetave të vjedhura në qytet.

SHKARKO APP