PD: Degët e mësuesisë po zhduken, pas 10 viteve do kemi krizë për mësues në vend
Alarmi se dëgët e arsimit po shkrihen në tre universitete të vendit u dha këtë të mërkurë nga deputeti demokrat Luçiano Boçi në Komisionin e Arsimit.
Boçi tha se pas një dekade shoqëria shqiptare do të vuajë nga kriza e mësimdhënies, pasi nuk do të ketë më mësues.
Ai theksoi se arsimimi ka humbur në Elbasan, Shkodër dhe në Gjirokastër, për shkak të mungesës së paketave financiare.
Në fjalën e tij, deputeti demokrat e vendosi theksin tek rëndësia e studentëve me mesatare të lartë, të cilët sipas tij duhen mbështetur dhe financuar për të ndjekur degët e mësuesisë.
“Duhen 8 vite të prodhosh një mësues. Një investim i jashtëzakonshëm. Për 10 vite del një mjek. Sot nuk kemi më prodhim mësuesish. Pas 10 viteve kjo shoqëri do të ketë krizë mësimdhënie dhe nuk do të ketë më mësues. Merrni ekselentët, paguani për të mbrojtur degët për mësuesit e rinj. Merrni ekselentët. Shihni pagat për pedagogët sepse janë mjerane. I keni harruar studentët dhe mbështjen financiare për ta”, tha ai.
Buxheti i parashikuar për Arsimin u kritikua nga kreu i këtij Komisioni, Agron Gjekmarkaj, i cili shprehu shqetësimin për pagat e ulëta të pedagogëve dhe tarifat e larta të studentëve.
Gjekmarkaj theksoi se Shqipëria ka tarifa tepër të larta për studentët në krahasim me mundësitë ekonomike të vendit, si dhe paga shumë të ulëta për pedagogët, të cilët detyrohen të bëjnë nga 2-3 punë për të blerë libra apo për të udhëtuar për seminare akademike.
Në përgjigjen e saj ministrja u shpreh se tarifat e studentëve janë përgjysmuar, ndërkohë që u shpreh se paga e pedagogëve është në dorën e vetë universiteteve me ligjin e ri që i jep autonomi Arsimit të Lartë.