PD denoncon fotografimin e votës në Vlorë: Po dokumentojmë çdo shkelje
Në qytetin e Vlorës, ka pasur problematika në qendrën e votimit pranë Universitetit ‘Ismail Qemali’.
Sipas informacioneve, raportohet se ka pasur përplasje mes përfaqësuesve të PD dhe kreut të kzaz 86 lidhur me prezencën e një personi në qendrën e votimit duke mbajtur në dorë një listë me emra qytetarësh.
Përfaqësuesit e PD kanë kërkuar largimin e personit, ndërsa kreu i kzaz u shpreh se personi gjendej aty thjesht për të votuar.
Pas incidentit kandidati për deputet në Vlorë Ardit Hoxha ka dalë në një deklaratë për mediat teksa ka dorëzuar një kallëzim penal për rastin në fjalë.
“Jam këtu për denoncuar veprën penale të një zgjedhësi i cili ka fotografuar votën. Gjatë procesit të votimit në Universitetin Ismail Qemali është konstatuar se ai ka fotografuar votën. Ky zgjedhës e ka pranuar por duke parë reagimin e komisionereve është larguar nga qendra e votimit. PD Vlorë është informuar për këtë akt dhe i është drejtuar organit të akuzës për të nisur procedim penal ndaj këtij shtetasi. PD po dokumenton çdo shkelje që është duke u zhvilluar gjatë procesit të zgjedhjeve. Ne garantojmë se asnjë nuk do të vjedh votat dhe të prishë festën e demokracisë. Dilni të votoni të gjithë. Ky është momenti juaj. Vota është e shenjtë duhet të jetë e lirë dhe demokratike”, u shpreh Hoxha.
KOHA JONË SONDAZH

