PD dorëzon në Kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të Leskajt

 

Partia Demokratike depozitoi sot në Kuvend kërkesën për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për konstatimin e mbarimit të mandatit të deputetes Valentina Leskaj.

“Kjo kërkesë e Partisë Demokratike vjen pas koncesionit që përfitoi nga Edi Rama djali i nënkryetares së Parlamentit, me marrjen për 25 vjet të hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë, ç’ka sipas nenit 21 dhe 24 të ligjit 9367, sjell papajtueshmërinë e mandatit të zonjës Leskaj.

Ligji ndalon deputetët dhe familjarët e tyre ku përfshihen fëmijët në moshë madhore, që të lidhin kontratë ose nënkontratë me institucionet publike”thuhet ne njoftimin e PD.

Më poshtë, kërkesa e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike drejtuar Kuvendit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

Tiranë, më _____/_____/2015

K Ë R K E S Ë

DREJTUAR: ZOTIT ILIR META

KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

OBJEKTI:   1- Kërkesë për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin;

 2- Konstatimi i mbarimit të mandatit të deputetes së znj. Valentina Leskaj.

BAZA LIGJORE:   Nenet 70 dhe 71 i Kushtetutës, nenet 21 dhe 24 të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, si dhe neni 13 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Z. Meta,

Nga verifikimi i procedurave të koncesionit për segmentit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, rezulton se është shpallur fitues dhe i është dhënë me koncesion 25 vjet bashkimit të përkohshëm të operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Nga të dhënat e QKR rezulton se shoqëria “Matrix Konstruksion” shp.k. është në pronësi të djalit të deputetes së Kuvendit të Shqipërisë znj. Valentina Leskaj. Ushtrimi i rregullt i fuksionit të deputetit dhe shmangia në cdo rast e konfliktit të interesit, është kusht për vlefshmërinë e vet mandatit të deputetit

Paragrafi 2 i nenit 70 të Kushtetutës parashikon shprehimisht se: “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj”. Nga këto dispozita rezulton se Kushtetuta jonë ia delegon ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë (neni 70/2). Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe në fund të fundit parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij.

Një nga ligjet që parashikon edhe rastet e papajtueshmërisë me mandatit e deputetit është edhe ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

Neni 21 i këtij ligji, parashikon shprehimisht se asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara nga ligji, përfshirë deputetin, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik. I njëjti ndalim, sipas pikës 3 të nenit 24 të të njëjtit ligj, zbatohet edhe për personat e lidhur me zyrtarin. Sipas ligjit (pikës 1 tënenit 24) person i lidhur me zyrtarin është bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es.

Pra, në interpretim të këtyre dispozitave, ligji parashikon dy rrethana që janë të papajtueshme me mandatin e deputetit dhe konkretisht:

Përfshirja e tij në një marrëdhënie civile me  institucionet publike;

Përfshirja e një personi të lidhur me deputetin në një marrëdhënie civile me institucionet publike.

Në rastin konkret, është e provuar se është shpallur fitues i këtij koncesioni shoqëria ku është pronar fëmija madhor i deputetes Valentina Leskaj. Ky veprim përbën shkelje flagrante të ndalimit të parashikuar nga nenet 21 dhe 24 të ligjit nr. 9367/2005. Për këtë shkak, znj. Valentina Leskaj ushtron mandatin e deputetit në kushtet e papajtueshmërisë së parashikuar me ligj.

Shkelja e ndalimeve mbi pajtueshmërinë me funksionin, përbën ushtrim të mandatit të deputetes nga znj.Valentina Leskaj, në cenim të papajtueshmërisë së parashikuar me ligj. Neni 71/2/c i Kushtetutës parashikon se mandati i deputetit mbaron kur vërtetohet një nga kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara në nenin 70 paragrafi 2. Marrja me koncesion i një shërbimi publik nga institucionet shtetërore, në kundërshtim me ndalimin e vendosur nga ligji, nënkupton papajtueshmëri me funksionin publik të vet deputetit. Për këtë arsye, është e detyrueshme që Kuvendi të konstatojë mbarimin e mandatit në përputhje me nenin 71/2/c të Kushtetutës.

Përsa më lart, në përputhje me nenin 71 të Kushtetutës dhe nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e menjëhershme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, për të konstatuar mbarimin e mandatit të deputetes për znj. Valentina Leskaj. Cdo vonesë e mëtejshme në trajtimin e kësaj cështje, do ta vendoste Kuvendin e Shqipërisë në kushte antikushtetutshmërie në sjelljen dhe veprimtarinë e tij.

SHKARKO APP