PD dorëzon në SPAK materiale të reja për inceneratorët: Të ndalohet financimi

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Belind Këlliçi, tha se i kanë dorëzuar kreut të SPAK, Altin Dumani një material me mbi 650 faqe për aferën e inceneratorëve. Këlliçi nga selia blu pohoi se pjesë e materialeve janë dokumente me rëndësi për hetimin.

”Në këtë material, Grupi i Punës ndihmon në mënyrë thelbësore për hetimin e kësaj çështje, sidomos lidhur me deklarimet e rreme të dhëna në Letër Porositë, nga aksionerët e sotëm. Këtë material po ia përcjellim në mënyrë urgjente z. Altin Dumani, pasi ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të financimit të këtij projekti korruptiv, me para të dyshimta, për të cilat i takon SPAK të hetojë nëse janë para të zyrtarëve të veshur me pushtet, apo janë para të grupeve kriminale si Ndragheta, etj.

Sot nuk po bëjmë publik, asnjë dokumentacion, pasi besojmë fort se z. Dumani, pas ditës së sotme, do të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere.

Gjithsesi ju bëjmë me dije se ky material përmban të dhëna autentike si:

• Kontrata të nënshkruara mes palëve.

• Dokumentacion zyrtar të cilin SPAK nuk e ka gjetur pranë Institucioneve Shqiptare.

• Komunikime elektronike mes palëve si dhe shumë dokumente financiare”,-tha Këlliçi.

SHKARKO APP