PD: Drejtori i Parkut të Ujësjellësit Tiranë ka plagosur 2 persona

Partia Demokratike denoncon bashkinë e Tiranës se ka ndërmarrë një valë shkarkimesh abuzive për t’i zëvendësuar mes tyre dhe me persona sipas saj të inkriminuar

Përmes anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Fabian Topallaj PD denoncon emërimin e e Drejtorit të Parkut të Ujësjellësit Tiranë, Eqrem Braçe, si një person i cili në maj 2014, plagosi 2 qytetarë në mes të ditës në rrugën nacionale Fier – Levan.

“Nën modelin Rama që pushteti jo vetëm merret por dhe mbahet me njerëz të inkriminuar, ka ri-rilindur tashmë edhe Bashkia e Tiranës me kryetar, Erjon Veliajn.

Një nga emërimët e para të Veliajt në drejtorinë e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, specifikisht në pozicionin e Drejtorit të Parkut të Ujësjellësit Tiranë, është graduar Eqrem Braçe, i cili në maj 2014, edhe pse zv-kryetar i Komunës Levan, plagosi me armë pa leje 2 qytetarë në mes të ditës në rrugën nacionale Fier – Levan.”

PD thotë se mjafton një kërkim I thjeshtë në Google ku rezulton se drejtori i tij Eqrem Braçe ka probleme me ligjin.

“Nuk ka kohë Veliaj se është i zënë me shkatërrimin përfundimtar të administratës së Bashkisë duke shkarkuar përditë dhjetëra nëpunës që prej vitesh janë pjesë e administratës publike. Dje Veliaj ka shkarkuar në mënyrë krejt abuzive nga puna nënën e 4 fëmijëve zonjën Vjoleta Geca , e cila në përpjekje për ta takuar punëdhënësin e saj është konfrontuar fizikisht me Erjon Veliajn dhe shefen e kabinetit të Veliajt” deklaroi Topallaj.

PD e mbylli deklaratën e saj duke I bërë thirrje Veliajt të “ndërpresë valën e shkarkimeve abuzive nga puna të nënpunësve të ndershëm dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të inkriminuar.

SHKARKO APP