PD: Ekzekutimi i të riut nga policia, Shqipëria nën një regjim policor si 30 vjet më parë
Partia Demokratike ka reaguar për vrasjen e të riut, Klodian Rasha nga Policia e Shtetit ditën e sotme. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ekelejd Alibeaj tha se 25-vjeçari është ekzekutuar nga forcat e rendit.
“Në Ditën e Rinisë, një 25 vjeçar u ekzekutua me plumb në kokë nga regjimi, sepse nuk respektoi orën policore të karantinës. Një i ri që vrapon për t’i shpëtuar gjobës apo sjelljes brutale, që e kemi parë të gjithë në rastin e 15 vjeçarit gjatë karantinës së parë, nuk përbën asnjë rrezik për policinë. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën, janë njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime të denja për një bandë. Asnjë skenar i sigurimit të shtetit nuk mund të justifikojë ekzekutimin e të riut”,- tha Alibeaj.
Ish-deputeti i PD-së thotë se vrasja e të riut është modeli më i keq që ka instaluar në Policinë e Shtetit kryeministri dhe ministri i Brendshëm. “Prokuroria duhet të kishte marrë menjëherë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes, zbardhjen e të vërtetës sa me shpejt dhe informimin e publikut për ketë ngjarje që ka shokuar të gjithë shoqërinë. Për këtë akt kriminal të pashembullt duhet drejtësi pa vonesë! Arrestimet sa për sy e faqe, për të mashtruar publikun e revoltuar, shërbejnë vetëm që regjimi i Edi Ramës të blejë kohë. Policia që vret një të ri në Ditën e Rinisë është modeli më i keq i Policisë së Shtetit. Sot vrasësi i të riut nuk është efektivi i policisë, por Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, me politikën e tyre qeveritare të armiqësimit të Policisë me qytetarët dhe bashkëpunimit të Policisë me bandat”,- deklaroi Enkelejd Alibeaj.
Ish-deputeti i PD-së shtoi se ky model i Policisë së Shtetit që përdoret për të ekzekutuar qytetarë dhe për të lënë bandat rrugëve është i papranueshëm dhe duhet të marrë fund. “Është irrituese që, në 8 vite, Edi Rama ndërtoi modelin e Policisë që nuk lufton krimin, por burgos, gjobit dhe vret qytetarët e pambrojtur. Kjo është arsyeja përse Sandër Lleshaj vazhdon të jetë akoma Ministër i Brendshëm dhe nuk është shkarkuar nga Edi Rama! Është e paprecedentë që në 8 vite, në vend të komunikatave të përditshme sesa grupe kriminale ka zbuluar dhe arrestuar, Policia e Shtetit flet vetëm për sa gjoba u ka vendosur qytetarëve. Kjo nuk është arsye se përse ekziston Policia e Shtetit. Kjo është një politikë e gabuar, që e armiqëson Policinë me qytetarët. Prandaj, edhe Edi Rama e mbron Sandër Lleshajn, duke mos e shkarkuar!”,- u shpreh ish-deputeti i PD-së, Eneklejd Alibeaj.
Lexoni edhe…
- Si mund të vritet 25-vjeçari vetëm se theu orën policore?!
- Vrasja e 25-vjeçarit/ SHÇBA: Polici në kundërshtim me ligjin, kapërceu kufijtë e mbrojtjes
- “Policia nuk pa nga errësira kur qëlloi, por ishte e aftë te gjente armën natën”
- Opinion/ Polici tërhoqi këmbëzën, Klodjanin e vrau qeveria