PD: Familja me gjashtë anëtarë po jeton në shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti (VIDEO)

Partia Demokratike denoncoi të dielën tjetër rast qytetarësh që mbeten pa zgjidhje nga situata që la tërmeti i 26 nëntorit 2019. Kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Belind Këlliçi vizitoi nga afër shtëpinë e Eduart Hysës në fshatin Shpërdhet të Kurbinit nga ku denoncoi shpërfilljen e autoriteteve përballë vështirësive që po has ai.

Hysa, invalid, vetë i gjashti familjar, tregon se deri një javë më parë jetonte në çadër, vend në të cilin së fundmi ka ardhur në jetë dhe fëmija e tretë e tij. Pas lindjes së fëmijës ai ka vendosur të rikthehet në banesën e dëmtuar, pasi siç tregon ai është e pamundur që t’i sigurohet mirëqenia një fëmije të vogël në çadër.

Hysa shprehet se banesa e tij u cilësua fillimisht e pabanueshme, ndërkohë që më pas me një vendim të dytë u tha se ishte pjesërisht e dëmtuar. Ai tregon se e ka të pamundur ta meremetojë shtëpinë pasi jeton vetëm me asistencën që i jepet nga invaliditeti.

“Kam tre fëmijë, më të madhin 9 vjeç, më të voglin 6 muajsh, fëmija ka lindur ne çadër edhe vetëm para 4 ditësh kemi dalë nga çadra, sepse nuk rrihet me fëmijë të vegjël në çadër. Jam invalid dhe marr kemp rreth 100 mijë lekë [të vjetra]… [ekspertët] të vijnë ta vlerësojnë [shtëpinë] ta rishikojnë, mos të na lënë këtu që të na zënë këto gërmadha brenda”. Prej më shumë se një jave opozita po denoncon raste të ndryshme familjesh të mbetura pa zgjidhje nga situata që la pas tërmeti i 26 nëntorit, i cili i mori jetën 51 personave. Rastet e sjella nga PD-ja kanë qenë nga Thumana, Durrësi, Shijaku dhe së fundmi edhe nga Kurbini.

Biseda

Qytetari: Unë jam Eduart Hysa, banor i Shpërdhetit. Deri para një jave kam ndenjur në çadër dhe tani po jetoj në shtëpi të shembur, siç po e shihni edhe ju.

Këlliçi: Eduart, sa veta jeni?

Qytetari: Jam vetë i gjashti, nëntë muaj në çadër.

Këlliçi: Po pse vendose të futesh këtu?

Qytetari: Nuk kam rrugë tjetër, nuk jetohet me fëmijë të vegjël në çadër gjithë kohës. Tani përsëri këtu në shtëpi, po rrezikojmë.

Këlliçi: Në shtëpinë e prishur?

Qytetari: Po, në shtëpinë e prishur. Po rrezikoj dita-ditës.

Këlliçi: Si ta kanë vlerësuar shtëpinë? A ka ardhur dikush nga shteti me u interesu?

Qytetari: DS.. Ka ardhur dhe më kanë thënë… kur kanë ardhur për herë të parë inxhinierët më kanë thënë që mos hyni brenda, se kjo rrezikon që të shembet.

Këlliçi: Edhe si të klasifikuan?

Qytetari: Pastaj kur ka dalë akt konstatimi ma kanë nxjerr DS2 të mesëm, nuk ma kanë vlerësuar siç duhet.

Këlliçi: Po ndonjë ndihmë, ndonjë mbështetje, ndonjë financim nga shteti, ke marrë?

Qytetari: Asnjë lloj gjëje!

Këlliçi: Bonus qeraje, mbështetje financiare?

Qytetari: As bonus qiraje, asnjë gjë!

Këlliçi: Me aq lekë (fjala është për paratë që përfiton për riparim nga vlerësimi DS2) çfarë mund të bësh ti në shtëpi?

Qytetari: Asnjë gjë!

Belindi: Sa fëmijë ke?

Qytetari: 3 fëmijë! Më të madhin 9 vjeç, më të voglin 6 muajsh.

Këlliçi: 6 muajsh?!

Qytetari: 6 muajsh!

Belindi: Fëmija ka lindur ne çadër?

Qytetari: Në çadër, ne çadër!

Këlliçi: Edhe vetëm para 4 ditësh keni dalë nga çadra?

Qytetari: Po!

Belindi: Të ardhura financiare, çfarë keni?

Qytetari: Unë jam invalid. Marr një kemp nga 100 mijë lekë (të vjetra).

Belindi: Vetë i gjashtë?

Qytetari; Vetë i gjashtë!

Belindi: Asnjë mbështetje nga shteti tjetër?

Qytetari: Jo! Të vijnë ta vlerësojnë, ta rishikojnë! Mos të na lënë këtu që te na zënë këto gërmadha brenda!

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/4241145069235687/

SHKARKO APP