PD: Fondet e rindërtimit në Durrës po përdoren si shantazh për marrjen e votës

Partia Demokratike ka denoncuar faktin se, edhe pse ka 5 vite nga tërmeti fatkeq i vitit 2019, Bashkia e Durrësit vazhdon të përdorë si shantazh dhe mjet të blerjes së votës, fondet e rindërtimit.

Gjatë deklaratës për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo tha se, ‘fondi i lëvruar në shtator për firmat e preferuara të kryebashkiakes socialiste, ka si qëllim që banorëve të rrugës Abaz Çelkupa t’u jepet çelësi dhe t’u kërkohet vota’.

Deklarata për media e zëdhënëses së PD, Floriana Garo:

“Pesë vjet kanë kaluar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe po afrojnë zgjedhjet e 2025, por tenderat e rindërtimit në bashkinë e Durrësit vijojnë.

Kështu, më 16 shtator, Bashkia e Durrësit ka hapur tenderin me objekt ‘Riaftësim strukturor i Pallatit nr.15, Rruga ‘Abaz Çelkupa 15’, Rajoni 3 si pjesë e Programit të Rindërtimit.

Tenderin me vlerë 800 milion lekë e ka fituar bashkimi i kompanive EURONDERTIMI 2000 shpk & EVERESTshpk & SHEHU -2AB Konstruksion shpk. Sipas Open Data Albania ky tender është me flamur të kuq për mungesë konkurrence. Pra Eurondërtim, Everest dhe Shehu -2AB kanë qenë të paracaktuara se do të fitonin tenderin, si të vetmet kompani në garë.

Por nuk janë tenderat korruptivë dhe as vjedhja e fondeve publike objekti i kësaj deklarate. Në qindra raste, Departamenti i Anti-Korrupsionit në Partinë Demokratike i ka denoncuar me detaje abuzimet qindra milionëshe të kësaj Bashkie në kuadër të procesit të rindërtimit.

Pyetja është: a janë dhe a po përdoren fondet e rindërtimit si mjet shantazhi për qytetarët gjatë fushatave elektorale dhe para zgjedhjeve?

Tenderi i hapur 8 muaj para zgjedhjeve të vitit 2025 nga Bashkia Durrës, edhe pse kanë kaluar 5 vjet nga tërmeti, nuk dëshmon paaftësi, por babëzi dhe llogari të zyrtarëve të Rilindjes për t’i përdorur fondet e rindërtimit për qëllime elektorale.

Open Data Albania ka hulumtuar shpërndarjen e granateve individuale për Programin e Rindërtimit pas Tërmetit, në muaj të zakonshëm gjatë periudhës 2020-2023, dhe gjithashtu në muajt pjesë e Fushatave Zgjedhore.

Nga granti i rindërtimit ishin parashikuar të përfitonin familjet e dëmtuara nga tërmeti por, një javë para zgjedhjeve të vitit 2021 Bashkia e Durrësit ndryshoi strategji, duke ua kaluar fondin e rindërtimit qytetarëve në llogari bankare.

Një përpjekje e qartë për të ndikuar qytetarët elektoralisht, pra një mënyrë e blerjes dhe manipulimit të votës.

Bashkia Durrës transferoi në prill 2021 mbi 792 milionë lekë grante individuale për rikonstruksione të lehta në banesa duke shkelur kështu Kodin Zgjedhor.

Edhe pse është tërhequr shuma fantastike e 267.8 milion eurove nga Fondi i Rindërtimit, jo pak qytetarë të Durrësit, në vend të çelësit të shtëpisë kanë marrë çelësat e kashtës.

Në këtë sorrollatje të gjatë, here më bonus qiraje e herë pa të, herë në hotele e herë në shtëpi me qera, një pjesë e atyre që kanë humbur shtëpitë në tërmetin e para 5 viteve, u ka mbetur shpresa e fundit te zgjedhjet e pranverës së ardhshme.

Fondi i lëvruar në shtator për firmat e preferuara të kryebashkiakes socialiste, ka si qëllim që banorëve të rrugës Abaz Çelkupa t’u jepet çelësi dhe t’u kërkohet vota.

Për Edi Ramën dhe Emirjana Sakon fatkeqësia e 2019 ka qenë një rast për të shpërblyer financiarisht bandat e Durrësit, që i ndihmuan gjatë zgjedhjeve dhe për të përdorur rindërtimin dhe fondet e tij për të blerë dhe rrëmbyer votat e të mbeturve pa strehë.

Hezitimi apo plani i SPAK për të mos hetuar miliona euro të fondeve të Rindërtimit, në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, është një tjetër favor që i bëhet qeverisë së korruptuar të Ramës dhe një lëshim për kriminalizimin e vendit”, Garo.

SHKARKO APP