PD i kthehet Ramës: Nuk ka gazetarë kriminelë, ka kryeministër që bën propagandë kriminale me fatkeqësinë
Ish-deputetja e PD Albana Vokshi me anë të një statusi në “Facebook” ka reaguar për sulmet që kryeministri Rama iu bën mediave, duke i cilësuar shpesh si “kriminale”.
Vokshi shprehet se nuk ka gazetarë kriminelë, por ka kryeministër që bën propagandë kriminale me fatkeqësinë.
Postimi i Albana Vokshit:
Nuk ka gazetarë kriminelë! Ka Kryeministër që bën propagandë kriminale me fatkeqësinë
Për të mbuluar përgjegjësinë direkte për keqmenaxhimin e emergjencës pas tërmetit, Edi Rama ka nisur të sulmojë gazetarët, të cilët përcjellin shqetësimet e vërteta të qytetarëve në zonat e prekura.
Nuk janë kriminelë gazetarët që raportuan njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë se Spitali i Durrësit po evakuohej.
Nuk janë kriminelë gazetarët pse një qytetar u lejua të zhvendoset nga spitali i Durrësit pas dhe, fatkeqësisht, humbi jetën rrugës për në Spitalin e Beratit.
Kriminale në këtë histori është përdorimi politik nga Edi Rama i tragjedisë, i tronditjes, i skamjes, i humbjes së besimit dhe sigurisë për jetën dhe banesën.
Kriminale është që të përpiqesh të shtysh edhe një ditë duke gënjyër, duke mashtruar qytetarët për të fshehur gjurmët e mëdha të krimit.
Në emër të Partisë Demokratike, inkurajoj gazetarët të mos intimidohen nga gjuha e dhunshme, e turpshme, e papranueshme e Edi Ramës.
Ngritja e zërit nga gazetarët, pro interesit publik, është arma e vetme për të zhbërë presionin kriminal të Edi Ramës.