Edhe Basha fitoi mandatin e tretë!
Nga Herion Mesi-
U mbyllën votimet për kryetar në PD, fiton thellë Lulzim Basha. Kjo pritej dhe nuk kishte asnjë diskutim para votimit, por një gjë duket se u fitua nga kjo garë e fortë; numri dy në selinë e demokratëve me sa duket do jetë Agron Shehaj. Kudo në çdo qendër votimi, pas Bashës, del me vota Agron Shehaj dhe kjo jep një shpresë se një lidership i ri po lind në këtë parti.
Dje pati kontestime nga Bujar Nishani, por në darkë palët po binden të votimi, pavarësisht se Nishani i quan këto zgjedhje si zgjedhjet e 25 prillit të Edi Ramës, ka fituar Basha. Pra edhe kjo punë mbaroi, një formalitet i domosdoshëm. Tashmë çdo bëjë PD-ja? Do vazhdojë të njëjtin kurs që pohonte Lulzim Basha apo ngadalë do fillojë kthesa që kërkon Edi Rama dhe disa partnerë ndërkombëtarë për një bashkëqeverisje? Do të hyjnë në parlament në shtator apo çfarë do të bëjnë, kur parlamenti mbetet një prej shesh-betejave kryesore? A do të përdorë Basha presionin ndaj kryeministrit Rama me popull?
Janë shumë pikëpyetje që dalin pas mbarimit të kësaj “beteje” brenda shtëpisë demokrate. Si do ta përballojnë demokratët pushtetin e Ramës që ka marrë çdo pushtet. Pra lideri i ri, i 25 prillit të vjetër, duhet të jetë i qartë se çdo bëjë me fitoren në parti dhe me humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat ai thotë se nuk do ti njohë, por në parlament do të hyjë!
Lulzim Basha ka nevojë që të impletojë edhe pjesë nga programet e kundërshtarëvë të tij që kandiduan. Të hap e të forcojë PD-në dhe jo ta mbajë me njerëz që i thonë “lider”. Agron Shehaj duket se e mori vendin e dytë në këtë parti politike, pasi votat janë për të, natyrisht pas Bashës. Ai me sa duket po përgatitet për betejën tjetër për zgjedhjet vendore në Tiranë dhe mbetet kandidaturë potenciale për të përballuar Erion Veliajn apo ndonjë emër surprizë që mund të ofrojë kryeministri Rama në lëvizjet e tij të befasishme, aq me tepër ku në 30 vjetorin e PS-së, kryeministri nuk e nxori fare në podium Erion Veliajn. Nëpër koridotet e PS-së kanë filluar mërmerimat e para të një tërheqje veshi ndaj kryebashkiakut tironas se pse ndihmoji Fatmir Xhafën. Burimet tregojnë se kryeministri Rama i ka thënë Veliajt se “ unë e nxora nga dera Fatmir Xhafajn, kurse ti ma fute nga dritarja në PS”. Natyrisht që Fatmir Xhafaj ka fituar vetë, realisht, sepse mbetet figura numër dy në PS, direkt pas Edi Ramës. Nuk ka më asnjë socialist 24 karatsh në PS, pasi Ruçi iku, Bashkim Fino shkoi pranë Zotit, Pandeli Majkon e palosi, Anastas Angjelin dhe Musa Ulqinin nuk i kandidoi. Dhe plot të tjerë që nuk hyjnë më në derën e PS. Fitoi vetëm Fatmir Xhafaj. E pra në këto kushte kur marrëdhëniet Rama-Veliaj kanë hyrë në frigorifer (dhe akulli i kryeministrit shkon në minus 90 gradë), duke se nga PD-ja Agron Shehaj mori biletën për kandidat për kryetar bashkie në Tiranë.
Gjithsesi dje Basha u bë prapë kryetar. Rama mori për të tretën herë qeverinë, por edhe Basha merr mandatin e tretë!