PD ka 16 ndërhyrje për projektbuxhetin e vitit 2025
Partia Demokratike me firmën e Sali Berishës, propozon 16 ndërhyrje në projektbuxhetin e vitit 2025. Kërkesat synojnë 5-fishimin e buxhetit për indeksimin e pensioneve dhe 3-fishimin e fondit për të përndjekurit politikë. PD propozon që buxheti për arsimin dhe shëndetësinë të rritet në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa subvencioneve në bujqësi dhe prodhimit vendas t’i shtohen 170 milionë euro.
Duan që barnave të ri t’i shtohen 60 milionë euro, ndërsa pagat e administratës të rriten me 10 për qind. Të djathtët propozojnë që pagat në arsim e shëndetësi të rriten me 20 për qind, ndërsa kërkimit shkencor dhe bashkive t’u shtohen respektivisht 20 dhe 130 milionë euro.
Në Kuvend është depozituar një amanedament i posaçëm për shëndetësinë nga 9 deputete gra, me në fokus Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. ”Të çelet një fond i posaçëm për blerjen e një pajisje PET Skaner dhe dy pajisje akseleratore ne Qendrën Spitalore Universitare Nene Tereza, Tirane. Fondi i posaçëm parashikon te përfshijë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen ne për qellim funksionimin e pandërprerë të pajisjeve. Ky fond detajohet dhe përdoret me vendim te Këshillit te Ministrave”.
Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe 7 shoqata biznesi depozituan 28 propozime ligjore të shtrira në katër drejtime për paketën fiskale 2025. Në sektorin bujqësor kërkohet që TVSH për sektorin e agro-përpunimit të bëhet 5 deri në 7%, ndërsa ajo e plehëruesve organike të jetë zero. Gjithashtu, kërkohet përjashtimi nga TVSH për investimet në teknologji të gjelbra, heqja e akcizës për lëndën djegëse. Për 2025 ende nuk ka një paketë fiskale. Ajo pritet të hartohet bazuar te kërkesat e grupeve të interesit dhe deputetëve gjatë komisioneve parlamentare.