PD kërkon shkarkimin e Kajmakut, KQZ merr vendimin e parë për kryebashkiakun e Vorës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të mblidhet ditën e premte në orën 11:00 për të shqyrtuar kërkesën e PD-së në lidhje me shkakrimin e kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmakun.

Më herët Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vendosë pa vonesë për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku. Pas denoncimit të PD-së, ai u verifikua nga prokuroria se ka fallsifikuar Formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave fallco, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Në kërkesën e firmosur prej Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Partia Demokratike kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

“Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe indentitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo pasjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban” – shprehet në kërkesën e tij Gazment Bardhi.

Në këtë kërkesë, drejtuar Kryetarit të KQZ, Klement Zguri dhe që i është dërguar për dijeni Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë, theksohet qëndrimi i mëparshëm që KQZ-ja ka mbajtur në rastet e heqjes së mandatit të deputetëve Gledion Rahovica dhe Aqif Rakipi, raste këto që janë identike me atë të Agim Kajmakut.

“Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare.”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

Kërkesa e PD ka një sërë detajimesh juridike për t’i kujtuar KQZ-së se zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për një funksionar si Agim Kajmaku, i cili ishte në kërkim europian në kohën e kandidimit dhe marrjes së mandatit, është shumë i rëndësishëm për besimin e publikut tek institucionet demokratike.

Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”-përfundon kërkesa e Partisë Demokratike për mbledhjen e menjëhershme të KQZ-së dhe shkarkimin e Agim Kajmakut nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Vorës.

SHKARKO APP