PD: Ky është kryebashkiaku i PS që konsumon kokainë. Reagon Lefter Alla: Nuk jam unë
Partia Demokratike ka zbuluar sot emrin e kryebashkiakut që pretendohet se është filmuar duke konsumuar kokainë. Ish-deputeti Ervin Salinji tha se personi që shfaqet në pamjet që qarkullojnë në media është kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla.
“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet se si kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama është duke konsumuar kokainë. Kokaina heroina, kanabisi, vjedhja zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë që i ka klonuar te emërimet e tij politike, në pushtetin lokal dhe administratën publike në Shqipëri. Janë lidhjet me krimin motivi kryesor që e ka shtyrë Edi Ramën të kapë sistemin e drejtësisë”, u shpreh Salianji.
Reagimi i Salianjit erdhi pas publikimit në “Abc News” nga gazetari Artan Hoxha, të disa pamjeve ku pretendohet se një person konsumon kokainë. Sipas Artan Hoxhës, personi është një kryebashkiak i PS në një qytet verior të vendit. Hoxha tha se Bëhet fjalë për një kryebashkiak në detyrë, të zgjedhur në zgjedhjet e 30 qershorit. Ai ka qenë duke konsumuar kokainë në një lokal, ndërsa është regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit.
Pas përmendjes së emrit nga PD, ka reaguar kryebashkiaku Lefter Alla. Ai thotë se video është mashtrim dhe nuk ka lidhje me pamjet e publikuara. “Nuk jam unë personi që shikoni në video duke pirë kokainë”,- tha kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla në një prononcim për “News 24”.