PD-LSI: Ndryshime kushtetuese për kryeprokurorin

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrimit kanë dorëzuar në Kuvend dy propozime, një për ndryshimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë dhe një propozim për amendimin e Kushtetutës në pjesën ku flitet për Prokurorinë.

Propozimi i parë kërkon ndryshimin e nenit 109 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, ndërkohë, ai për Kushtetutën kërkon amendimin e pikës 13 të nenit 179 të saj.

Ky nen është: “Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Amendimi i propozuar: “Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i përfundon koha e qëndrimit në detyrë të nesërmen e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm. Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e caktuar për zgjedhjen brenda 10 ditëve nga propozimi, kandidati i rendit i pari, që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar sipas ligjit, konsiderohet i emëruar. Kandidatët i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar dhe me përparësi ndaj të gjithë subjekteve të tjera të rivlerësimit. Rregullat e detajuara për caktimin e prokurorit që do të ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm dhe afatet për realizimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe rivlerësimit kalimtar të tyre përcaktohen me ligj”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ja si e argumenton PD mbledhjen e firmave:

Me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, reforma në Drejtësi ka marrë një drejtim të gabuar dhe tepër të rrezikshëm. Në kundërshtim me Kushtetutën, Kryeministri Rama, po kontrollon në mënyrë të paligjshme krijimin e organeve të reja të sistemit të drejtësi. Akti i zgjedhjes së dhunshme dhe të pa mbështetur në Kushtetutë të Kryeprokurorit pa vetting, të papropozuar ng KLP dhe pa shumicë të cilësuar, është prova më e qartë e strategjisë së Edi Ramës për kontrollin e sistemit të drejtësisë.

Pse i duhet Ramës një Prokuror i Përgjithshëm I Përkohshëm nën kontroll?

Për të kontrolluar çështjet penale në ngarkim të personave politikë të afërt me të.

Për të ndikuar në procesin e vettingut të prokurorëve dhe shantazhimin e tyre nëpërmjet këtij procesi.

Për të kontrolluar zgjedhjen e 6 prokurorëve, anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) që duhet t’i zgjedhë Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve nën drejtimin dhe organizimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Cila është situata në të cilën do të bëhen zgjedhjet për KLP?

Prokurorët do të thirren për të votuar për përzgjedhjen e 6 anëtarëve të KLP në  klimë presioni që sa vjen e rritet,.

Prokurorët kërcënohen jo vetëm nga Prokurorja e Përgjithshme por edhe me vetting nga strukturat e kontrolluara nga Qeveria (DSIK apo ILDKPKI).

Ndershmëria e këtij procesi zgjedhor tashmë është goditur rëndë. Për pasojë, nga ky proces pritet të përzgjidhen prokurorë luajalë ndaj Partisë Socialiste.

Pse Qeveria kërkon të kontrollojë KLP?

Qeverisë i duhet KLP për të kontrolluar procesin e përzgjedhjes së SPAK dhe më vonë, së bashku me Ministrinë e Brendshme, do të kontrollojnë edhe BKH.

SPAK dhe BKH anë caktuar nga Kushtetuta për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

Opozita ka zgjedhur të kontribuojë në Kuvend  për zgjidhjen e krizës politike dhe kushtetuese duke i propozuar Kuvendit të Republikës që menjëherë të:

Anulojë aktin antikushtetues të zgjedhjes së Prokurorit të Përkohshëm të Përkohshëm;

Të plotësojë vakumin kushtetues dhe ligjor për zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, në kushtet e mungesës së KLP-së;

Pas plotësimit të vakumit kushtetues dhe ligjor, të bëhen përpjekje serioze institucionale për të caktuar në mënyrë konsensuale një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, që i është nënshtruar paraprakisht procesit të vettingut me procedurë të përshpejtuar;

Ofrimin e mundësisë së zgjedhjes së kandidatit më të mirë, nëpërmjet një mekanzimi efikas zhbllokues, në rast se nuk arrihet konsensusi në Kuvend, për të shmangur përdorimin politik, qoftë edhe nga opozita, të këtij procesi.

Amendamentet kushtetuese dhe ligjorë të propozuar janë sipas standardeve të Komisionit të Venecias, ku kërkohet që zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, të bëhet nëpërmjet një procedure që garanton:

Përfshirjen në proces të një strukture të pavarur të përbërë nga ekspertë të së drejtës, për vlerësimin e kandidatëve;

Bashkëveprimin midis organeve të ndryshme kushtetuese në proces;

Votimin konsensual në Kuvend, nëpërmjet përdorimit të shumicave të cilësuara;

Parashikimin e një mekanizimi zhbllokues përzgjedhës, në rast mosarritje të konsensusit.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI

PROJEKTLIGJ

Nr._____/2018

PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 8417, DATË 21.10.1998, “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 83, pika 1, 84, pika 4 dhe 177, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e më shumë se një të pestës së anëtarëve të Kuvendit,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,bëhet ndryshimi si më poshtë:

Neni 1

Pika 13 e nenit 179 të Kushtetutës ndryshon si më poshtë vijon:

“13. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i përfundon koha e qëndrimit në detyrë të nesërmen e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm.

Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e caktuar për zgjedhjen brenda 10 ditëve nga propozimi, kandidati i rendit i pari, që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar sipas ligjit, konsiderohet i emëruar.

Kandidatët i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar dhe me përparësi ndaj të gjithë subjekteve të tjera të rivlerësimit.

Rregullat e detajuara për caktimin e prokurorit që do të ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm dhe afatet për realizimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe rivlerësimit kalimtar të tyre përcaktohen me ligj.”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare

Petrit Vasili: Pa vetting nuk ka kryeprokuror

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili pas mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj force politike ka shpjeguar arsyet se përse opozitës do të kërkojë ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e kryeprokurorit.

Ai ka sqaruar se grupi i punës për ndryshimet kushtetuese përbëhet nga Nasip Naço, Oert Bylykbashi, Ylli Manjani dhe Gazmend Bardhi.

Vasili tha se qëndrimi i LSI është për zbatimin e reformës në drejtësi është kthimi i procesit në kushtetutshmëri dhe zgjedhja e një kryeprokurori brenda ligjeve që janë miratuar për rformën.

“I gjithë grupi i LSI mbështet propozimin e grupit të përbashkët të punës për  ndryshimet në Kushtetutë. Kthimi i kushtetshmërisë është hap kundër shkatërrimit të reformës në drejtësi nga maxhoranca. Pa veting s’mund të ketë Prokuror të Përgjithshëm”,- tha Petrit Vasili.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?